Ndihmoi Ervis Martinajn të arratiset, në pranga agjenti i policisë (EMRI)

Punonjësi i Policisë Jeton Lami dyshohet se ka përkrahur e transportuar personin e shumëkërkuar Ervis Martinaj që të arratiset.

Policia e Kurbinit sqaron se Jeton Lami me detyrë punonjës policie (agjent), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit akuzohet për shpërdorim detyre.

Gjykata ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

Zhdukja e Ervis Martinajt

Prej më shumë se 2 javësh policia po verifikon disa të dhëna për zhdukjen e Ervis Martinaj. Denoncimi për zhdukjen e Ervis Martinajt u bë nga familjarët e tij, konkretisht xhaxhai. Ky i fundit ka deklaruar në Polici se nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë së fundmi me Martinajn, por përmes personave të tretë dhe se ka dyshime se nipi i tij mund të jetë rrëmbyer.

Pistat e hetimit

Pista e parë që po hetohet është ajo e rrëmbimit me pasojë eliminimin fizik të personazhit të njohur të botës së krimit pas denoncimit të familjarëve të tij. Pista tjetër është ajo e një inskenimi të mundshëm me qëllim humbjen e gjurmëve.

Vrasja e bashkëpunëtorëve dhe familjarëve të tij

Martinajt i kanë vrarë bashkëpunëtorë, por edhe familjarë të tij. I fundit ishte djali i xhaxhait të tij, Brilant Martinaj, i cili mbeti viktima nga atentati i refishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës që ndodhi më 17 gusht të këtij viti.

Në gusht të 2019 në Tiranë do ekzekutohej Santiago Malko, për këtë ngjarje u dënua vetëm Bledi Teta me 25 burg.

Në 13 nëntor të vitit të kaluar po në Tiranë do ekzekutohej Erigers Mihasi, lidhje e ngushtë e Ervis Martinajt.

I kërkuar nga SPAK

Martinaj kërkohet nga SPAK si i dyshuar për porositjen e një vrasjeje që nuk u realizua për të cilën i kishte ofruar të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani deri në 500 mijë euro.

Të Fundit