Ngjarja e rëndë dhe misterioze që ka tronditur Athinën, po hetohet nga policia pasi trupi i pajetë i një vajze të re u gjet brenda një valixheje të braktisur në zonën e Agios Panteleimonas. Zbulimi makabër është bërë të dielën, më 8 nëntor, ndërsa autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së saj.
Sipas mediave greke, valixhja u gjet në kryqëzimin e rrugëve Alkamenous dhe Charissis, pasi një 29-vjeçar, emigrant i huaj njoftoi policinë për erën e rëndë që vinte prej saj.
Efektivët që mbërritën në vendngjarje kontrolluan valixhen dhe zbuluan brenda saj një trup të pajetë në gjendje të avancuar dekompozimi.
Nga vlerësimet paraprake të ekspertit mjekoligjor, dyshohet se viktima është një vajzë me origjinë afrikane, e moshës 17 deri në 25 vjeç dhe me trup të imët. Gjatë ekzaminimit fillestar nuk u gjetën lëndime të dukshme, megjithatë shkaku i saktë i vdekjes pritet të sqarohet nga autopsia.
Një detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se këmbët e viktimës ishin të lidhura me litar.
Sipas të dhënave të para mjekoligjore, vdekja mund të ketë ndodhur rreth pesë deri në shtatë ditë përpara zbulimit të trupit. Valixhja kishte rreth 24 orë që gjendej në vendin ku u konstatua.
Nga këqyrja fillestare nuk janë konstatuar plagë të dukshme në trupin e të resë. Megjithatë, për shkak të dekompozimit të avancuar, ekspertët nuk kanë mundur të përcaktojnë ende shkakun e vdekjes.
Autopsia pritet të japë përgjigje më të qarta dhe të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një vrasje apo për një vdekje të shkaktuar nga rrethana të tjera.
Ekspertët morën material gjenetik për të identifikuar gruan, pasi deri më tani nuk ka pasur asnjë raport për kërkimin e saj nga ndonjë person i njohur. Do të bëhet krahasimi i të dhënave të saj me bazën e të dhënave të grave të zhdukura me qëllim identifikimin e të ndjerës.
Hetimet janë marrë në dorë nga Departamenti i Vrasjeve i Policisë greke, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e viktimës. Njëkohësisht, po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë dhe po mblidhen dëshmi nga banorët e zonës, me qëllim identifikimin e personit ose personave që transportuan dhe braktisën valixhen.
Një nga skenarët që po shqyrtohet është se bëhet fjalë për një akt kriminal, me një vdekje të mundshme nga mbytja. Njëkohësisht, po hetohet edhe mundësia që gruaja të ketë përdorur drogë, të ketë vdekur dhe më pas dikush tjetër ta ketë vendosur trupin e saj në valixhe dhe ta ketë braktisur në rrugë.
Rasti i fundit ka disa ngjashmëri me rastin e gruas që u gjet e vdekur në një valixhe në Kypseli gjatë verës.
“Ngjarja sjell në vëmendje një tjetër rast të ngjashëm të raportuar në korrik në lagjen Kypseli të Athinës, ku trupi i një gruaje britanike 38-vjeçare, Elizabeth Ross, u gjet gjithashtu brenda një valixheje”, raportojnë mediat greke që citon noa.al.
Për atë rast, autoritetet greke arrestuan një 26-vjeçar afgan, i cili ishte filmuar duke tërhequr një valixhe të madhe të zezë në rrugët e Athinës. Sipas raportimeve, ai dyshohej se kishte përdorur kartën bankare dhe telefonin e viktimës pas vdekjes së saj.
Ndërkohë, në rastin e fundit në Agios Panteleimonas, identiteti i vajzës mbetet i panjohur dhe hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat, në pritje të rezultateve të ekspertizës mjekoligjore.



