Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, ka ngritur shqetësimin për depozitimin e mbetjeve inerte në anë të rrugëve të fshatrave të Kavajës, duke akuzuar kryebashkiakun Fisnik Qosja për mungesë kontrolli ndaj kësaj problematike.
Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Balla ka denoncuar situatën në rrugën kryesore të fshatit Bukaq, ku, përveç mungesës së asfaltimit, përgjatë rrugës janë depozituar mbetje inerte që vijnë nga ndërtimet.
Sipas Ballës, përgjegjësia për këtë situatë bie mbi Bashkinë Kavajë dhe kryetarin e saj, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit dhe kontrollin ndaj administrimit të mbetjeve që krijohen prej tyre.
“Mirë që e jep leje ndërtimi vend e pa vend, por që të lësh inertet e ndërtimeve në anë të rrugës së një fshati, kjo është batërdi”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se mungesa e asfaltimit të rrugës është një problem më vete, për të cilin u shpreh se do të ndërhyhet, ndërsa vëmendjen kryesore e përqendroi te ndotja dhe dëmtimi i mjedisit nga depozitimi i inerteve në hapësirat publike.
“Kjo që shikoni është rruga kryesore e fshatit Bukaq në Kavajë. Lëreni rrugën që nuk është shtruar, se është muhabet tjetër. Dhe do ta shtrojmë, sigurisht. Por ajo që bën Bashkia Kavajë sot, dhe kryetari i saj i bashkisë, është miratimi me heshtje apo pa heshtje, e hedhjes së të gjitha inerteve në krah të rrugës. Mirë që e jep leje ndërtimi vend e pa vend, por që të lësh inertet e ndërtimeve në anë të rrugës së një fshati, kjo është batërdi”, deklaron Balla në reagimin e tij.