Mjekët, infermierët, farmacistët, stomatologët dhe mamitë nuk do të japin më provimin e ndërmjetëm pas përfundimit të praktikës profesionale, por do të kalojnë drejtpërdrejt në Provimin e Shtetit.
Ndryshimi në rregulloren e praktikës profesionale heq një nga procedurat që kandidatët duhej të ndiqnin përpara se të merrnin licencën për ushtrimin e profesionit.
Deri më tani, kandidatët që përfundonin studimet dhe praktikën profesionale duhej t’i nënshtroheshin një vlerësimi nga Urdhrat Profesionalë dhe vetëm më pas mund të hynin në Provimin e Shtetit. Me rregullat e reja, ky vlerësim nuk do të jetë më i nevojshëm.
Ndryshimi vlen edhe për ata që e kanë përfunduar tashmë praktikën, por janë ende në pritje të procedurave të vlerësimit.
Për këtë vendim, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, zhvilluan një takim me studentët e Fakultetit të Infermierisë, ku ishte i pranishëm edhe rektori i Universitetit të Mjekësisë, Xheladin Draçini.
Kumbaro shpjegoi se heqja e provimit të ndërmjetëm ishte kërkuar nga vetë studentët dhe se dy ministritë kishin vendosur të ndryshonin rregulloren përmes një urdhri të përbashkët.
“Patëm një kërkesë edhe nga kolegët tuaj të të gjitha profileve që kishin përfunduar praktikën profesionale dhe po bëheshin gati për provimin e shtetit për të hequr hallkën e provimit të vlerësimit të ndërmjetëm”, tha Kumbaro.
Ndërsa ministrja Spahiu u ndal te përgatitja e studentëve gjatë praktikës profesionale, duke theksuar se synimi është që ata të marrin njohuritë e nevojshme për ushtrimin e profesionit.
“Është vetëm fillimi i një pune të cilën do ta çojmë përpara për të adresuar jo vetëm shqetësime, por për të gjetur rrugën e bashkëpunimit në mënyrë që jo vetëm të pajiseni me një diplomë që ju konfirmon se jeni në shërbim si infermierë, por gjatë gjithë praktikës suaj të arrini të merrni njohuritë maksimale, edhe teorike, edhe praktike”, u shpreh Spahiu.
Në fund të takimit, dy ministret u angazhuan për lehtësimin e mëtejshëm të procedurave për studentët dhe përfshirjen e tyre në projekte universitare e profesionale.