S’ka më “punë me mik”, Rama: Hyrja në administratë do të bëhet përmes një provimi kombëtar

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar reformën e re të quajtur “Shkalla e Meritës”, e cila synon të ndryshojë mënyrën e punësimit dhe promovimit në administratën publike, duke vendosur në qendër aftësitë dhe meritën profesionale.

Gjatë prezantimit, Rama theksoi se një nga ndryshimet kryesore do të jetë vendosja e një provimi unik kombëtar për të gjithë ata që synojnë të bëhen pjesë e administratës publike. Testimi do të zhvillohet në kushte të barabarta, me provime të sekretuara dhe përmes teknologjisë. Kandidatët që e kalojnë me sukses do të pajisen me një certifikatë me vlefshmëri katërvjeçare.

Rama: Një pagë më e mirë dhe kushte më të mira pune nuk e zgjidhin problemin kryesor: meritën. Është bërë edhe trend në diskutimet publike: Nuk ka meritë, nuk vlerësohet njeriu sipas meritës. Ky dëgjim është i rëndësishëm, edhe pse jo e gjitha është e zezë. Jemi të vetëdijshëm që mund t’i paguash më mirë njerëzit dhe nuk mund të dallosh kush punon më mirë e kush jo.

Mund të investosh në trajnime dhe të mos i hapësh rrugë atij që është i aftë të marrë aftësi më të mëdha. Këtë aftësi duhet ta lexojë sistemi.

Ne mund të ndryshojmë sa të duam procedura. Nëse në fund njeriu që punon më mirë nuk ka më shumë mundësi të ecë përpara, nuk kemi ndryshuar atë që është tani sfida. Këtu merr rëndësinë e vet themelore.

Hyrja në administratë do të jetë me provim kombëtar, para një standardi të përbashkët. Ky testim do të bëhet me provime të sekretuara, standard të barabartë dhe gjithçka përmes teknologjisë në hapin e parë. Ata që e kalojnë me sukses pajisen me një certifikatë për 4 vite, që krijon një bazë më të drejtë dhe më të besueshme.

Një i ri nuk duhet ta shohë hyrjen në administratë si një derë që duhet të gjejë dikë që t’ia hapë.

Ne do të vendosim në dispozicion të të gjithëve këtë derë, derën e provimit unik kombëtar.

Të Fundit