Viktor Gjoshi nga Lushnja, tregon, se e ka shlyer që në vitin 2014 kredinë e marrë gjashtë vite më parë për ndërtimin e katit të dytë të banesës së tij. Për vite me radhë, ai nuk ka pasur probleme me bankën, por kur aplikoi për legalizimin e shtëpisë, u përball me një surprizë të pakëndshme: prona rezultonte e bllokuar nga zyra përmbarimore ZIG. Qytetari thotë, se banka i ka konfirmuar, se nuk ka më asnjë detyrim, por kufizimi e pengon të kryejë veprime me pronën.Problematikat ligjore të shoqërisë përmbarimore ZIG dhe ankesat e qytetarëve kanë bërë, që dosjet e kësaj zyre, të administrohen nga Ministria e Drejtësisë. Ky institucion është njohur me rastin e Viktor Gjoshit dhe po e verifikon atë.Ndërkohë, pas komunikimit të emisionit “Stop” me Kadastrën Qendrore, është bërë e ditur, se kjo problematikë nuk do të pengojë legalizimin e banesës. Për heqjen e kufizimit të vendosur në bazë të urdhrit të ekzekutimit të ZIG sh.p.k., Kadastra do të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë pas aplikimit të qytetarit.



