Në fshatin Kakaç të Maliqit, Aklent Fasho prej katër vitesh nuk mund të shkojë normalisht në banesën e tij, pasi xhaxhai, Avni Fasho, i ka bllokuar rrugën që, sipas denoncuesit, familja e tij e përdorte prej 40 vitesh. Konflikti mes të afërmve nisi në vitin 2022, kur rruga, që mundësonte hyrjen deri në oborrin e banesës u mbyll, duke lënë Aklentin dhe familjen e tij pa kalim. Bashkëshortja e Avni Fashos, Valentina, pretendon, se hapësira përpara banesës së tyre është oborr privat dhe se nipi mund të përdorë një rrugë tjetër, nga pjesa e sipërme e fshatit. Por kryeplaku, Irjat Fasho, konfirmon, se hapësira ka shërbyer si rrugë për familjen e Aklentit deri në momentin, kur marrëdhëniet mes xhaxhait dhe nipit u prishën.Edhe topografi i Bashkisë Maliq, Mevlan Lame, pohon, se gjatë verifikimeve në terren, është konstatuar ekzistenca e rrugës dhe se është vendosur, që ajo të qëndrojë e hapur, derisa të përfundojë procesi i pajisjes së Avni Fashos me dokumentacion pronësie. Problemi qëndron te mungesa e një harte kadastrale që përcakton zyrtarisht pozicionin e rrugës.Ndërkohë, komunikimi me ASHK-në në Korçë sjell një tjetër zhvillim: sipas institucionit, Avni Fasho nuk disponon titull pronësie për truallin apo ndërtesën, ndërsa kërkesa e tij e fundit, është refuzuar për mospërmbushje të kritereve. Tashmë, zgjidhja pritet nga Bashkia Maliq, e cila duhet të ndërhyjë për hapjen e rrugës deri në përcaktimin përfundimtar të saj nga Kadastra.



