Policia e Shtetit ka arrestuar shtetasit, Bedri dhe Albert Vodha, babë e bir, të cilët tentuan t’i merrnin një biznesmeni, shumën 100 000 euro, me anë të mashtrimit.
Në kërkim ështrë shpallur dhe organizatori i kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi Florian Gjergji, banues në Tiranë, i cili prezantohej në rrjete sociale dhe i shantazhonte biznesmenët duke iu kërkuar, shuma të mëdha parash.
Nga veprimet e thelluara hetimore dyshohet se këta 3 shtetas janë autorë edhe të një rasti tjetër të ngjashëm, të ndodhur në muajin mars të këtij viti, në Tiranë, ku me anë të mashtrimit, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë, i kanë marrë një shumë të madhe parash një biznesmeni.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 70 000 euro, 2 automjete, 5 celularë, 3 karta SIM, 1 laptop, 2 USB dhe 1 tablet.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.
Vijon puna për kapjen e shtetasit Florian Gjergji dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer në bashkëpunim me 2 shtetasit e arrestuar.
“Policia e Shtetit falënderon qytetarët, për rritjen e besimit për të denoncuar në strukturat policore, raste të tilla, por dhe raste të tjera të paligjshmërive, në të gjitha fushat që ato shfaqen.
Policia e Shtetit fton qytetarët, operatorët ekonomikë në shkallë vendi dhe të dëmtuarit e tjerë, në rast se kanë dijeni apo dyshojnë për veprimtari kriminale të kësaj natyre, që ta denoncojnë atë pa hezituar, në strukturat policore në të gjithë vendin, duke i garantuar se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet në burime njerëzore dhe operacionale, që të ndëshkojë cilindo që implikohet në këtë veprimtari krininale dhe në çdo paligjshmëri tjetër”, shkruan policia.