Në fshatin Kakaç të Maliqit, Aklent Fasho prej katër vitesh nuk mund të shkojë normalisht në banesën e tij, pasi xhaxhai, Avni Fasho, i ka bllokuar rrugën që, sipas denoncuesit, familja e tij e përdorte prej 40 vitesh. Konflikti mes të afërmve nisi në vitin 2022, kur rruga, që mundësonte hyrjen deri në oborrin e banesës u mbyll, duke lënë Aklentin dhe familjen e tij pa kalim. Bashkëshortja e Avni Fashos, Valentina, pretendon, se hapësira përpara banesës së tyre është oborr privat dhe se nipi mund të përdorë një rrugë tjetër, nga pjesa e sipërme e fshatit. Por kryeplaku, Irjat Fasho, konfirmon, se hapësira ka shërbyer si rrugë për familjen e Aklentit deri në momentin, kur marrëdhëniet mes xhaxhait dhe nipit u prishën.Edhe topografi i Bashkisë Maliq, Mevlan Lame, pohon, se gjatë verifikimeve në terren, është konstatuar ekzistenca e rrugës dhe se është vendosur, që ajo të qëndrojë e hapur, derisa të përfundojë procesi i pajisjes së Avni Fashos me dokumentacion pronësie. Problemi qëndron te mungesa e një harte kadastrale që përcakton zyrtarisht pozicionin e rrugës.Ndërkohë, komunikimi me ASHK-në në Korçë sjell një tjetër zhvillim: sipas institucionit, Avni Fasho nuk disponon titull pronësie për truallin apo ndërtesën, ndërsa kërkesa e tij e fundit, është refuzuar për mospërmbushje të kritereve. Tashmë, zgjidhja pritet nga Bashkia Maliq, e cila duhet të ndërhyjë për hapjen e rrugës deri në përcaktimin përfundimtar të saj nga Kadastra.
Në vitin 1994, lidhur me referendumin e projekt-Kushtetutës, kur ishte president Sali Berisha, Edi Rama shkroi në shtypin e kohës, duke kritikuar përqendrimin e pushtetit, kufizimin e lirive dhe mungesën e demokracisë.Ironia sot është, se fjalët e Ramës së vitit 1994 për pushtetin dhe demokracinë mund të vihen përballë qëndrimeve të tij sot, kur është vetë në krye të qeverisë.
Viktor Gjoshi nga Lushnja, tregon, se e ka shlyer që në vitin 2014 kredinë e marrë gjashtë vite më parë për ndërtimin e katit të dytë të banesës së tij. Për vite me radhë, ai nuk ka pasur probleme me bankën, por kur aplikoi për legalizimin e shtëpisë, u përball me një surprizë të pakëndshme: prona rezultonte e bllokuar nga zyra përmbarimore ZIG. Qytetari thotë, se banka i ka konfirmuar, se nuk ka më asnjë detyrim, por kufizimi e pengon të kryejë veprime me pronën.Problematikat ligjore të shoqërisë përmbarimore ZIG dhe ankesat e qytetarëve kanë bërë, që dosjet e kësaj zyre, të administrohen nga Ministria e Drejtësisë. Ky institucion është njohur me rastin e Viktor Gjoshit dhe po e verifikon atë.Ndërkohë, pas komunikimit të emisionit “Stop” me Kadastrën Qendrore, është bërë e ditur, se kjo problematikë nuk do të pengojë legalizimin e banesës. Për heqjen e kufizimit të vendosur në bazë të urdhrit të ekzekutimit të ZIG sh.p.k., Kadastra do të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë pas aplikimit të qytetarit.




