Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Shkodër, ku një 67-vjeçare ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet që doli nga rruga.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40, në vendin e quajtur “Ura e Bahçallëkut”. Sipas informacionit paraprak të policisë, automjeti drejtohej nga një 27-vjeçare, e cila dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij.
Për pasojë, makina ka dalë nga rruga dhe është përplasur me shkallët metalike të një ndërtese, duke goditur këmbësoren 67-vjeçare, E. B., e cila në ato momente po ecte në trotuar. E moshuara ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkakun e humbjes së kontrollit të automjetit.



