Vasilika Budlla, e cila u godit me sëpatë në kokë nga bashkëshorti Qazim Budlla, është rikthyer në banesën e saj në Breg Shkozë të Vorës. Pasi mori mjekim në spital, ajo rinisi jetën e përditshme, por tashmë e vetme. Për Klan News ajo rrëfen tmerrin.
“Shkoi mori sëpatën atje, erdhi me vrap dhe vetëm kur ma hyni kështu nga mbrapa. Kam shpëtuar mirë, nuk e lëshonte sëpatën se donte të më binte prapë. Unë shpëtova kot!”
Të martuar prej shumë vitesh dhe pa fëmijë, gruaja tregon motivin pse bashkëshorti e dhunoi mbrëmjen e të hënës.
“Thonte ke pru kollovarë në shtëpi, shkon e bredh, vetëm nga këto problemet filloi këto kohët e fundit.”
Ajo thotë se bashkëshorti herë pas herë shfaq probleme të shëndetit mendor.
“Filloi kështu kot më kot, kështu nuk ka kartelë, por që është i sëmurë. Përherë e ka pasur atë nervin.”
Për shkak të 40 viteve martesë, thotë se edhe mund ta falë, por ka një kusht.
“Nëqoftëse është i sëmurë të rrijë në spital dhe të kurohet, nëse ai rri mirë dhe nuk e bën atë gjë, le të vijë.”
Qazim Budlla, u arrestua nga policia me akuzat e dhunës në familjes dhe të plagosjes me dashje. Para oficerëve të policisë ai tha se nuk mban mend veprimet që ka kryer.