Kryeministri Edi Rama po zhvillon ditën e sotme një konferencë për mediat lidhur me ecurinë e punës së Njësisë Speciale Antiinformalitet e krijuar pas skandalit me publikimin e pagave të shqiptarëve.
Gjatë fjalës së Rama tha se se dalja e pagave përveç anës së vet negative kishte dhe një anë jo të vogël pozitive. Sipas Ramës ka shumë biznese që deri tani “kanë reaguar pozitivisht duke reflektuar ndryshimet në lidhje me pagat e punonjësve”.
“E keni parasysh çfarë efekti pati dalja e pagave në publik që përveç anës së vet negative kishte dhe një anë jo të vogël pozitive sepse i gjithë opinioni publik u ballafaqua me një realitet i cili pavarësisht rregullimeve në vite, ishte pasqyrë e një deformimi të madh, për të cilin ne jemi të vetëdijshëm e kemi qenë.
Sikundër e bëmë me dije, ngritëm njësinë speciale të anti informalitetit për të ushtruar një proces kontrolli të detajuar dhe për të na dhënë një analizë të gjithë situatës.
Vlerësojmë bizneset që deri tani kanë reaguar pozitivisht duke reflektuar ndryshimet në lidhje me pagat e punonjësve”-tha kryeministri.
Ndërkohë Rama deklaroi se në Këshillimin Kombëtar të ardhshëm, do të pyeten qytetarët nëse janë dakord që një herë në vit pagat të bëhen publike.
“A duhet të bëhen publike pagat do të jetë pyetje në Këshillimin Kombëtar”, tha Kryeministri.