Policia e Kukësit ka gjetur brenda një tullumbaceje një sasi pluhuri të bardhë, të dyshuar si lëndë narkotike.
Mësohet se lënda narkotike, ishte futur brenda një tullumbace, që mbante në xhepin e xhupit një vajzë 9-vjeçare. Uniformat blu informojnë se e mitura po shkonte të takonte babain, i cili ndodhet në qelitë e paraburgimit në Kukës.
Dyshohet se sasia e lëndës narkotike ishte fshehur nga familjarët dhe kishte si destinacion të arrestuarin.
“Gjatë veprimeve proceduriale të takimeve (kontrollit fizik) mes familjarëve dhe personave në konflikt me ligjin në IEVP Kukës, është kapur një sasi pluhuri i bardhë (rreth 50 gramë) i dyshuar si lëndë narkotike. Lënda u gjet brenda një tullumbaceje në xhupin e vajzës 9 vjeçare të të paraburgosurit G.I. Për veprime dhe hetime të mëtejshme është njoftuar SHKBB, Policia e Shtetit dhe Prokuroria“-thuhet në njoftimin e Policisë së Burgjeve Kukës.