Në komunikimin e radhës për qytetarët, kryeministri Rama tha se të hënën do të riatdhesohen ata që kanë mbetur rrugëve të Europës. Ai u shpreh se kjo situatë kërkon unitet kombëtar, ndaj duhet të bëhet durim.
Rama konfirmoi se do të jetë pikërisht ‘Lasgushi’, me kosto zero, që do të sjellë shqiptarët në shtëpi.
Mjaft i prerë në qëndrimin e tij, në daljen e tij të radhës në rrjetin social, ai i është drejtuar qytetarëve të cilët kanë shprehur pakënaqësi në këtë situatë kaotike që ndodhemi, duke thënë se qeveria nuk ka shkop magjik.
“Duhet durim, është një armë që duhet ta mbushim përditë. Dua t’ju siguroj të gjithëve se të gjithë po bëhemi 14 copash, përditë e përnatë që të mos lemë asnjë prej jush vetëm. Për të gjithë nga nevojat ushqimore, deri tek ata që kanë ngecur jashtë Shqipërisë. Ata janë gati të vinë në Shqipëri.
Janë gati edhe të paguajnë, i falenderoj në fakt, se ka të tjerë që bëjnë vetëm komente me qarje për popullin që gjoja po vdes për bukë, me kërkesa absurde e me tallje për ata me uniformë e punonjësit socialë.
Këto janë të turpshme. S’kemi shkop magjik, por as në shtëpitë më të pasura të kontinentit nuk po shoh të bëhen mrekulli. Unë s’do lë gur pa lëvizur dhe gjë pa bërë për t’ju ardhur në ndihmë të gjithëve, por dreqi e mori, merreni vesh që jemi në luftë.
Javën e ardhshme nis riatdhesimi i atyre që kanë ngelur jashtë. Do vijnë pa pagesë. Do i sjellë Lasgushi. Në këtë hall i kërkova kompanisë të marrë barrën e të qënit shqiptar. Nesër del kalendari. Të hënën nis hartimi i listave dhe pikave ku do të marrim qytetarët tanë”, tha Rama.