STOP – EMISIONI 48 (SEZONI 4) 7 nëntor 2018 Shkarkohet dhe i hiqet certifikata e sigurisë punonjëses denoncuese

AISM është Agjensia e Inteligjencës së Sigurisë së Mbrojtjes.Punonjësit e saj duhet të kenë certifikatë sigurie, që lëshohet nga DSIK, Drejtoria e Informacionit të klasifikuar.

Por një punonjëse prej 14 vjetësh e AISM, tregon për emisionin “Stop” në Tv Klan sesi denoncoi shpërdorimet e detyrës nga ana e eprorëve të saj.

Zonja në fjalë iu drejtua drejtorit, më pas edhe ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe Kryeministrit përmes portalit të bashkëqeverisjes, për të denoncuar dy eprorët e saj të kapur me shkelje ligjore “shpërdorim detyre”.

Denoncimet u pasuan me ngritjen e një grupi kontrolli dhe si përfundim doli një raport, që zonjës në fjalë nuk i është dhënë dhe po mbahet i fshehtë. Jo vetëm kaq, por punonjësja u pushua nga puna dhe iu hoq certifikata e sigurisë.

Punonjësja e AISM: Në Agjencinë e Inteligjencës së Sigurisë së Mbrojtjes kam qenë punonjëse që nga viti 2004, rreth 13 vite karrierë. Punonjëse aty kam qenë konsulente ligjore e titullarëve të këtij institucioni dhe dy vitet e fundit detyra ime ka konsistuar në linjën e informacionit. Unë konstatova veprime të paligjshme nga dy titullarët e mi, konkretisht z.Andrea Paskali dhe znj. Altina Veshi, të cilat kishin të bënin me elementë të shpërdorimit të detyrës. Unë këto gjëra i bëra me dije te titullarët e institucionit, drejtorit të përgjithshëm të agjencisë nga i cili nuk gjeta asnjë lloj mbështetje.

Vijova me denoncimin tim duke iu drejtuar ministrit të Mbrojtjes dhe portalit të bashkëqeverisjes, Kryeministrit të vendit. Ministri i Mbrojtjes çështjen e mori shumë seriozisht duke krijuar komision hetimor për këtë çështje. Komisioni përbëhej nga tre veta. Zotërinjtë erdhën dhe hetuan dhe në fund ky komision doli me një raport, i cili ende dhe sot nuk më është bërë asnjëherë me dije si denoncuese e këtyre problemeve, dhe se çfarë ishin konkluzionet e këtij komisioni, ende dhe sot unë jam e paqartë.

Punonjësja foli me dy nga shefat, që hartuan raportin dhe i hoqën certifikatën e sigurisë. Ata pohuan se asaj nuk i ishtë gjetur asnjë shkelje dhe shkelje ishte heqja e certifikatës së sigurisë.

Punonjësja e AISM- Ti e di shumë mirë, në 2004-ën s’ kemi gjetur asnjë letër.

Shefi 1- Po çfarë flet? Eshtë turp…

Punonjësja e AISM- Edhe ta dinë pse! Se kemi punuar tamam si për shtëpinë tonë.

Shefi 1- Të hoqa sot, të hoqa nesër…

Punonjësja e AISM- Tërë kohës me presion.

Shefi 1- Ama, kur e bëjnë kështu me të pabesë, kjo është tradhti. Unë s’jam ashtu. Nuk ka shanse deri sot pa i parë në regjistër, pa i përball me personin, me i heq nga sigurimi. Se e kam alergji…

Punonjësja e AISM- Kjo u rrëfeftë, po pra.

Shefi 1- Se e kam…, bile-bile asnjëherë nuk e bëj intervistën tek pullë.

Punonjësja e AISM– Po, po! Po duhet të jesh i pranishëm. Biles thotë po të jetë femër, ti duhet të jesh.Ne e kemi bërë rregulloren bashkë, e kam bërë me këto duar.

Shefi 1- E pranoj!

Punonjësja e AISM- Po me rregulloren e vettingut, thotë nëse oficer, ushtaraku është femër, ti duhet të marrësh në intervistë edhe një përfaqësuese femër. Po ja për rastet, që ti ke hequr certifikatën e sigurisë, i ke vajtur, i ke thënë për shkeljen.

Shefi 1– Po, moj!

Punonjësja e AISM- Kurse me mua, se ç’bënë nuk e di. Vetëm kur më erdhi njoftimi në shtëpi, të kemi hequr certifikatën e sigurisë.

Shefi 1- Unë po të them, po them, se kam qenë me një rast vdekje, kur e kam marrë vesh edhe më ka ardh kshu… Unë të besoj ty 100 %. Edi pse? Nga forma, sesi m’u tha mua. A e kupton?

Punonjësja e AISM- Pse si t’u tha? M’qafsh!

Shefi 1 – Cfarë ka bërë ajo, që ia hoqën certifikatën e sigurisë? Jo që ia hoqën, që ia hoqët…

Punonjësja e AISM- Aaaa…

Shefi 1– Kujt i thashë? Filanes mor. Çfarë je tu thanë mor, i thashë? Unë s’di gjë fare i thashë, u preva… ngeli. E kupton? Ngeli.

Punonjësja e AISM- I joni i brendshëm ky?

Shefi 1– Po.

Punonjësja e AISM- Kur e ka marrë vesh?

Shefi 1 – Po.

BISEDA E DYTË

Punonjësja AISM – Si je shefi?

Shefi 2- Po të them, po të raportoj për analizën. Tek zyra juaj nuk kemi gjetur as edhe një lloj shkelje. Pikë!

Punonjësja AISM- Ke qenë ti personi, që jam certifikuar?

Shefi 2– Po!

Punonjësja AISM– Këto 14 vjet, apo jo?

Shefi 2- Po, po!

Punonjësja AISM- Atëherë…, unë thashë ky xxxx më është qepur mua të më heqë certifikatën e sigurisë, pa pasur asnjë lloj problemi. Dhe unë këtu nuk jam një ditë. Kam 14 vjet dhe ne njihemi shumë mirë bashkë në cdo lloj aspekti.

Shefi 2- Po të them për kontrollin, që kam bërë unë…

Punonjësja AISM- Edhe për besueshmërinë e punës, edhe për të gjitha.

Shefi 2- Tani e more vesh…, tek zyra juaj dhe tek të gjithë analizat, nuk kam gjet as edhe një lloj shkelje. Po ta them sot edhe po ma kërkove sot e 100 vjet, këtë përgjigje ke nga unë.

Punonjësja AISM– Ok!

Pas këtij kalvari, punonjësja e cënuar iu drejtua Prokurorisë së Tiranës, por prokurorja Alma Bramo, mori vendim për të mos filluar hetimet. Çështja shkoi në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës, kur gjyqtari e riktheu këtë çështje sërish në Prokurori për t’u rihetuar, pasi konstatoi një sërë mosveprimesh proceduriale.

As reagentë e as ilace, në QSUT prej muajsh nuk bëhen analizat.

Më 3 Tetor emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi rastin e Gëzim Doçit, i cili kurohet me tumor në kokë. Çdo vit ai duhet të kryejë 9 analiza, por që nga muaji Maj ka bërë vetëm 5. Për të tjerat mungojnë reagentët.

Gëzim Doçi: Unë jam i sëmurë, jam invalid i grupit të plotë, kam bërë dy ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk mi bëjnë analizat. Bëhet fjalë për 9 analiza që i kam të përhershme për t’i bërë çdo vit dhe nga 9 që në Maj më kanë bërë vetëm 5. Arsyeja është që thonë nuk kemi reagentë.

Gazetarja e Stop shkoi vet në QSUT për të verifikuar mungesën e këtyre reagentëve.

Specialistja 2: Po nuk ka pra! Nuk kanë ardhur akoma. Fol te dhoma 3.

Mjekja laborante: Jo nuk kanë ardhur! Po të kishin ardhur unë do t’ju kontaktoja, se unë e kam numrin e Gëzimit. Dhe i kam thënë që në momentin që unë do të kem informacionin më të vogël që këto reagentë, ka ardhur furnizimi në depon e laboratorit, do ta kontaktojmë që të vijë t’i bëjë.

Mungesa e këtyre reagentëve i detyron pacientët që të shkojnë për analiza në spitalet private. Mirëpo fatura është e kripur. Konkretisht, analizat që duhet të bëjë z.Gëzim Doçi kushtojnë plot 255 mijë Lekë të vjetra.

Për këtë arsye, Gëzim Doçi ka një apel për shtetin: Këto analiza që janë për t’u bërë, mos na sorollatin kot laboratoreve sepse nuk kemi lekë për t’i bërë.

Gazetarja e “Stop” dhe Gëzimi u rikthyen në QSUT për analizat e këtij të fundit. Jo vetëm që reagentët nuk kanë ardhur, por edhe medikamentet, që merrte me rimbursim, janë hequr nga lista.

Drejtoresha: Si kaluat?

Qytetari: Mirë si kalove ti?

Drejtoresha: Juve numrin e keni lënë tek laboratori për analizat që do të merret reagenti.

Qytetari: Po ka që në Maj që e kam lënë.

Drejtoresha: E di, e di zotëri! Po nuk ka ardhur akoma!

Qytetari: S’ka ardhur reagenti?

Drejtoresha: Jo! Të jeni i sigurtë që sapo të vijë do t’ju lajmërojmë.

Qytetari: Shteti shqiptar, në qendër të Shqipërisë mos me i ba analizat një të sëmuri me tumor në kokë që në Maj?

Drejtoresha: Shteti shqiptar nuk është vetëm QSUT-ja, ka dhe ambulanca të tjera. Ju thashë, keni kaluar te ambulancat e tjera?

Qytetari: S’ka reagentë? Ka a s’ka? Më thuaj mua po, jo? T’i baj, s’ti baj!

Drejtoresha: Për momentin nuk kemi!

Qytetari: Hë në rregull!

Drejtoresha: Do të njoftoheni sapo të vijnë.

Cilësia e ilaçeve është një tjetër problem, me të cilin përballet Gëzimi dhe të gjithë të sëmurët, ndaj të afërmit ia sjellin medikamentet nga Belgjika.

Cërrik, depoja e ujit pa rrethim, klori në ambient të hapur.

“Stop” ka udhëtuar drejt Cërrikut, pikërisht në vendin, ku ndodhet depoja e ujit të pijshëm për 20 mijë banorë.Depoja ishte e parrëthuar dhe klori për dezinfektim ishte lënë në ambient të hapur.Roja i objektit tha, se klori ishte jashtë, pasi makineria, që bën hedhjen e këtij produkti, ishte prishur dhe punonjësit e bënin mekanikisht këtë proces.Gazetarja u takua me administratorin e Ujësjellës-kanalizimeve, Ervis Calja,i cili foli për një projekt për rrethimin e depos. Ndërsa për klorin, as që ia kishte idenë.

 

 

Të Fundit