Zyrtarja e lartë e DASH: Shqipëria me fat që ka Yuri Kim

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, zhvilloi një vizitë dy ditore në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo pati sot takime me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, si dhe me deputetë të opozitës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit, foli mbi marrëdhëniet me Shqipërinë dhe pritshmëritë lidhur me reformat dhe luftën ndaj korrupsionit.

Ajo gjithashtu shprehu vlerësimin për ambasadoren Yuri Kim dhe tha se Presidenti Joe Biden, Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Antony Blinken dhe ajo vetë kishin besim te ambasadorja Kim.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit kemi parë shumë kritika dhe reagime ndaj ambasadores së SHBA-së, veçanërisht nga një segment i madh i opozitës, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në politikën shqiptare. Cili është reagimi juaj?

Nd/Sekretarja Donfried: Mund t’ju siguroj që Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Tony Blinken dhe unë, të gjithë kemi besim të plotë tek Ambasadorja Yuri Kim. Dhe është një kënaqësi e madhe që kemi njerëz të kalibrit të saj dhe me integritetin e saj në qeverinë e SHBA-së. Dhe mendoj që edhe ky vend, Shqipëria, nuk mund të kishte më shumë fat se sa të ketë atë si përfaqësuese të vendit tim dhe duke punuar çdo ditë për të forcuar atë që është tashmë një marrëdhënie e rëndësishme midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë./VOA/

Të Fundit