Zyrtari i Bashkisë së Vaut të Dejës akuza shefit të komisariatit:Merr 4 mijë euro për një parcelë kanabis

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Vaut të Dejës, dhe ish-administratori i kësaj njësie, Mark Zhuri në një dalje për mediat ditën e sotme ka hedhur akuza ndaj shefit të komisariatit të Policisë, Bardhyl Saliu se ka kanabizuar territorin e kësaj Bashkie.

Po ashtu, Zhuri bëri me dije se prej një viti e ka denoncuar Bardhyl Saliun në Prokurorinë e Shkodrës për afera korruptive që lidhen me kanabizimin e kësaj njësie administrative, për  abuzimet me ndërtimet që ai ka bërë bashkë me stafin e tij, si dhe për sjelljen arrogante dhe propetente karshi banorëve dhe kryepleqëve të fshatrave.

Ndër të tjera, Sekretari i Përgjithshëm i Vaut të Dejës, deklaroi se në lidhje me situatën e krijuar janë informuar të gjitha instancat shtetërore, duke filluar nga bashkia e Shkodrës deri tek kryeministri Edi Rama, ndërsa shtoi se është kërcënuar nga Saliu pas denoncimeve të kryera.

Sakaq Zhuri shprehet se, Saliu ka mbrojtur parcelat e drogës ne Temal ku ka marrë para nga trafikantet ndërsa ne muajin korrik sipas tij me urdhër te shefit Saliu janë djegur 200 hektar pyje duke bërë një masakër mjedisore.

“Uli xhamin e makinës dhe më kërcënoi mua. Pasi na ofendoi na akuzoi edhe për një tender. Unë nuk kisha asnjë njohuri për këtë rrëfim. Me thënë të drejtën ishte shumë i irrituar dhe shkëmbyem ofendime me njëri tjetrin. Unë e kam denoncuar në prokurorinë e Shkodrës edhe si rrjedhojë e kësaj, denoncimi i saj është bërë për aferat e tij korruptive. E kam denoncuar edhe për ndërtimet me të cilat ka abuzuar ai dhe stafi i tij. E kam denoncuar edhe për sjelljen arrogante ndaj qytetarëve. Për këtë situatë, unë kam informuar tëgjitha instancat e shtetit shqiptar duke filluar nga kryetari i bashkisë e deri tek kryeministri i Shqipërisë me një shkresë. Nuk ka ardhur asnjë reagim. I gjithë territori me mbështetjen e tij është i mbushur me kanabis. Ata që nuk paguajnë para për parcelat e kanabisit, u digjen parcelat. Ndërkohë janë djegur 200 hektarë pyje dhe askush nuk është vënë para përgjegjësisë,”- tha Zhuri.

Ndër të tjera, Zhuri kërkoi që Bardhyl Saliu të largohet nga komisariati dhe të ndiqet penalisht.

Të Fundit