Zjarrvënia, Balla: Vepër e rëndë! Dënohet deri në 15 vite burg

Ministri i Brendshëm Taulant Balla përshëndet Policinë e Shtetit e cila ka bërë të mundur arrestimin e dy personave të cilët në mënyrë të qëllimshme i kanë vënë zjarrin një masivi pyjor në malin Partizan në Berat.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla është shprehur se zjarrvënia cilësohet vepër e rëndë penale dhe dënohet deri në 15 vite heqje lirie.

“Dje u bënë publike në mediat kombëtare pamjet e momentit kur dy persona i vendosin zjarrin në mënyrë të qëllimshme një masivi pyjor në malin Partizan. Sot Policia e Shtetit ka arritur të identifikojë dy zjarrvënësit, t’i arrestojë dhe po vijon punën për dokumentimin e dëmeve të shkaktuara mjedisore, pronës private dhe publike. KUJTESË! Është vepër e rëndë penale zjarrvënia me dënime që shkojnë deri në 15 vite heqje lirie”, shkruan Balla.

Njoftimi i Policisë:

Ndezën zjarr në malin Partizan dhe si pasojë, dëmtuan bimësinë dhe shkaktuan ndotje të mjedisit, falë reagimit të menjëhershëm dhe punës profesionale hetimore të shërbimeve të Policisë, identifikohen dhe shoqërohen në Polici autorët.

Arrestohet një 18-vjeçar dhe procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një 15-vjeçar, të cilët pasi ndezën zjarrin u larguan me motomjet, nga vendngjarja.

Ditën e djeshme, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një zjarr në malin Partizan, shërbimet e Policisë së Beratit kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, për të kryer veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikuan autorët e këtij rasti, shtetasi S. Ç. dhe një 15-vjeçar.

Të dy këta shtetas, dyshohet se kanë ndezur zjarr në malin Partizan, ku si pasojë është dëmtuar bimësia e malit, si dhe është shkaktuar ndotje e lartë e ajrit dhe mjedisit të pyllit përreth. Këta shtetas, pas ngjarjes, janë larguar me motomjet nga mali Partizan, për në dalje të qytetit.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua shtetasi S. Ç. dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të moshës, për një 15-vjeçar, të dy banues në Dimal, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.

Të Fundit