Zgjedhjet, BE-partive: Fushata të jetë paqësore dhe pa gjuhën e urrejtjes

Dita e sotme shënon zyrtarisht nisjen e fushatës elektorale në Shqipëri. Në këtë ditë delegacioni i BE-së në Shqipëri përmes një deklarate për mediat u bën thirrje të gjitha partive politike dhe kandidatëve t’i përqendrojnë debatet e tyre te programet përkatëse politike dhe reformat që synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve.

Kreu i Delegacionit të BE-së dhe Shefat e Misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Shqipëri kanë ndjekur nga afër përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare dhe të fushatës elektorale deri më tani.

Fillimi i fushatës zyrtare është rasti që partitë politike dhe kandidatët të përqendrojnë debatet e tyre në programet e tyre përkatëse politike dhe në reformat që ata synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve.

Në këtë moment, ne kujtojmë rëndësinë e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, ​​siç ilustrohet veçanërisht në konsensusin e gjerë ndërpartiak që çoi në marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik mbi reformën zgjedhore. E njëjta frymë duhet të frymëzojë një fushatë elektorale që bazohet në respekt të ndërsjellë, dialog dhe përmbajtje dhe zhvillohet në një mënyrë paqësore pa retorikë inflamatore ose gjuhë urrejtjeje”, thuhet në deklaratë.

Më tej. delegacioni i BE-së shkruan se kanë besim se të gjitha institucionet përkatëse shqiptare dhe aktorët politikë do të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Zgjedhjet transparente, gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme dhe respektimi i rezultatit të tyre janë të rëndësishme për të siguruar legjitimitetin e Asamblesë së re dhe të Qeverisë së re. Ne kemi besim në të gjitha institucionet përkatëse shqiptare dhe aktorët politikë për të vepruar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ne i inkurajojmë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, duke respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19. Ne mirëpresim dhe mbështesim përpjekjet e organizatave shqiptare të shoqërisë civile për të vëzhguar fushatën zgjedhore dhe procesin e ditës së zgjedhjeve.

Komuniteti ndërkombëtar po e mbështet dhe po e monitoron në mënyrë aktive të gjithë procesin e përgatitjes dhe kryerjes së zgjedhjeve, para së gjithash përmes misionit të ODIHR-it. Po ashtu, Delegacioni i BE-së dhe ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së do të vizitojnë një numër të madh vendvotimesh ditën e zgjedhjeve“, vijon deklarata e delegacionit të BE.

 

 

 

Të Fundit