Zgjedhja e kryetarit, PD: Dera e partisë e hapur për kandidatët që plotësojnë kriteret

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar pas zhvillimeve të kësaj të enjteje, ku tre kandidatë kanë paraqitur pretendimin për të garuar në zgjedhjet për kreun e PD-së më 23 maj.

Fillimisht, mjekja Mereme Sala ka dorëzuar personalisht dokumentacionin e kandidimit në selinë e PD-së. Më pas, përfaqësues të Alesia Balliut dhe Ervin Salianjit kanë mbërritur për të dorëzuar dokumentet, por sipas burimeve nuk janë pritur nga asnjë anëtar i partisë. Në këto kushte, dokumentacioni është lënë në recepsionin e selisë dhe është dërguar edhe përmes postës elektronike.

Pas këtyre zhvillimeve, Flamur Noka deklaroi për mediat se dera e Partisë Demokratike është e hapur për demokratët që plotësojnë kriteret, duke theksuar se kandidimi nuk është i hapur për të gjithë, por vetëm për ata që i shërbejnë partisë dhe jo kundërshtarit politik.

“Ka një muaj që kush plotëson kriteret ka qenë i pranuar për të kandiduar. Për të kandiduar për kryetar të PD-së duhet të jesh demokrat dhe t’i shërbesh demokratëve, jo Ramës. Ka kritere. Kjo parti ka një vijë të kuqe. Asnjë anëtari të PD nuk i është refuzuar kërkesa për të kandiduar. A dini ju që një anëtar i PD ka aplikuar dhe i është refuzuar? Jo,” u shpreh Noka.

Ai la të nënkuptohet se emra si Salianji dhe Balliu mund të mos përfshihen në procesin e garës, pasi sipas tij nuk plotësojnë kriteret e vendosura nga partia.

Të Fundit