Vuçiç i përgjigjet Erdoganit: Kosova s’është Turqi, i përket Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar sot se Serbia do të kundërshtojë nëse do të nisë një fushatë e re lobimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Një ditë më parë Presidenti turk Erdogan deklaroi se do të bisedonte me Presidentin e SHBA, Biden, për të intensifikuar lobimin për njohjet e pavarësisë së Kosovës.

Mediat serbe cituan sot Vuçiçin të thoshte se për këtë çështje do të përpiqet të flasë direkt me Erdoganin.

Do të përpiqem të flas me të [Erdoganin]. Deri më 1 shtator, sipas Marrëveshjes së Uashingtonit, të dy palët [Kosova dhe Serbia] kanë detyrimin të mos lobojnë për njohje ose mos-njohje. Nëse ata [Kosova] fillojnë aksionin e njohjes nga 1 shtatori, ose ndoshta para kësaj, ne do ta kundërshtojmë atë,” – citohet të ketë thënë Vuçiç për Pink TV.

Presidenti serb ka vlerësuar Turqinë si “superfuqi” dhe Presidentin Erdogan “si udhëheqës të shkëlqyeshëm”, por nga ana tjetër ai ka theksuar se “Serbia nuk është aq e vogël sa të mos e kundërshtojë këtë lobim”.

“Serbia mbron të vetën. Kjo [çështje, Kosova] nuk është turke, ajo i përket Serbisë. E vetmja gjë që na mbetet është të luftojmë për vendin dhe popullin tonë. Ai është shumë i fuqishëm, dhe ne jo, por besoj se ai do ta zbusë pak pozicionin e tij,” – citohet të ketë thënë Vuçiç.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por sipas listës së publikuar nga Ministria e Jashtme të Kosovës, janë vetëm 117 vende që e njohin deri më tani pavarësinë e saj.

Serbia, me Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit, 2020, është zotuar se do të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, ndërsa Kosova ka marrë mbi vete detyrimin që të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit.

Deklaratat e sotme vijnë pas takimit që Vuçiç pati me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, ku bisedimet u përshkruan se u zhvilluan nën tone të ashpra pasi propozimet e Kurtit nuk u pranuan.

“Serbia ka kufijtë e saj dhe ata janë njohur në Kombet e Bashkuara dhe ne jemi të interesuar vetëm për to, përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë e Serbisë në përputhje me Rezolutën 1244. Kjo është e gjitha. Unë nuk do t’i kërkoj më falje askujt, kurrë më,” – ka thënë më tej Vuçiç.

Vuçiçi i bëri këto deklarata teksa ai po kryente një vizitë në Despotovac, rreth 130 kilometra në juglindje të Beogradit. Ai u pyet nga mediat edhe rreth deklaratave të ministrit të Brendshëm Aleksandar Vulin. Por Vuçiç theksoi se “nuk është në favor të heshtjes së askujt”.

“Vulin është një mik i imi, s’jam dakord me të në disa gjëra. [Deklarata] Ishte në mbledhjen e partisë së tij, ku unë nuk isha i ftuar, pati një deklaratë dhe nuk është detyra ime ta hesht atë,” – u shpreh Vuçiç.

Ministri Vulin deklaroi në një aktivitet partiak të Lëvizjes Socialiste – aleate e partisë Progresiste të Vuçiçit, – se “Ushtria e Serbisë duhet të ruajë serbët kudo ku jetojnë në vendet e rajonit” dhe se detyra e gjeneratës aktuale të politikanëve në Serbi është që “të krijojnë botën serbe dhe të bashkojnë serbët kudo që jetojnë ata”.

Të Fundit