Vritet me armë zjarri 41-vjeçari Elton Javori në Fier, identifikohet autori

Elton Javori, 41-vjeç, mbeti i vrarë me armë zjarri paraditen e kësaj të enjteje në Fier. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:00 në lagjen “16 Prilli”, e njohur ndryshe si lagjia e Backallinjve, në rrethana momentalisht të paqarta.

Në një informacion zyrtar për mediat, policia e Fierit tha se ka mundur të identifikojë autorin e dyshuar dhe po punon për kapjen e tij. Motivet e kësaj vrasjeje për momentin nuk dihen.

Rreth orës 11:00, në lagjen “16 prilli”, është vrarë me armë zjarri shtetasi Elton Javori, 41 vjeç, banues në Fier. Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë identifikuar autorin dhe po punojnë për kapjen e tij. Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit“, tha policia në një informacion parapra për mediat.

Për ngjarjen reagoi edhe kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

“Janë marrë të gjitha masat për kapjen e autorit. Po punohet për sqarimin e rrethanave dhe motiveve që kanë çuar me këtë ngjarje të rëndë. Ju siguroj që Policia e Shtetit brenda një kohe shumë të shkurtër do të vejë para drejtësisë autorin”, tha Rrumbullaku i pyetur nga gazetarët gjatë një konference për mediat.

 

Të Fundit