Vrasja tek Kodra e Diellit/ Policia beson se Briken Sanaj u nxorr në pritë

Grupi që është duke punuar për zbardhjen e vrasjes së Briken Sanajt, i cili mbante dhe emrin Skerdilajd, ka dyshime të forta se është nxjerrë në pritë nga të njohur të tij. Këto dyshime përforcohen nga lëvizje të dyshimta që janë konstatuar nga grupi hetimor. Ai dyshohet se është ndjekur që pas dasmës së mikut të tij të ngushtë në Lezhë, deri tek banesa në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë. Banesa ku ai do të qëndronte është e shokut të tij Anton Gjini, dhe për të hyrë ai përdorte automjetin e tij dhe emrin e tij.

Vendi ku autori i vrasjes qëndroi i fshehur pas një peme ulliri e me fushëpamje të qartë në garazhin ku do parkohej makina, ishte vëzhguar më së miri prej atentatorit. Kjo për faktin se nga pjesa e pasme e rezidencës ku ai hyri, nuk mbulohej me kamera sigurie. Në vendngjarje, oficerët e policisë kanë siguruar një sërë provash për të cilat janë në pritje të përgjigjes së AND-së, që mund t’i çojë në identifikimin e autorëve, që pasi kryen vrasjen, mjetin Benz e dogjën në Qafë-Kashar bashkë me kallashnikovin brenda.

Si pistë kryesore, hetuesit kanë atë të vrasjes për shkak të hasmërisë, pasi vëllai i Briken Sanajt, në vitin 2012 ka plagosur në Lezhë një person me origjinë nga Puka, pas konflikteve që kishin për ngacmimin e një vajze. Për këtë arsye hetuesit pritet të marrin në pyetje anëtar të familjes Kola që kanë konflikt me Sanajt./Klan News

Të Fundit