Vjedhja e 120 mijë Eurove, dërgohet për gjykim ish-zyrtarja Alda Klosi dhe pastruesja Rozeta Dobi

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Alda Klosin, ish-zyrtaren e lartë të shtetit, në banesën e të cilës u vodhën 120 mijë Euro nga pastruesja Rozeta Dobi.

Alda Klosi akuzohet nga organi i akuzës për deklarim të rremë të shumës së parave dhe të një apartamenti.

Po kështu, për hetim janë dërguar edhe pastruesja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi për vjedhje me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim.

Kur denoncoi në polici për vjedhjen e parave, Alda Klosi nuk tregoi për shumën e plotë të parave, por për një vlerë më të vogël dhe për vjedhje bizhuterish.

Por nga hetimi u zbulua se ishin vjedhur 120 mijë Euro nga pastruesja, të cilat Alda Klosi më pas i justifikoi duke thënë se janë të xhaxhait të saj që jeton në Amerikë.

Alda Klosi është e arrestuar dhe ndaj saj ka një tjetër hetim pasuror që është veçuar nga dosja e vjedhjes së parave.

Të Fundit