Ndryshon taksa e qarkullimit nga janari 2027/ Hiqet nga karburanti dhe kalon te makinat! Ibrahimaj zbulon si do të llogaritet dhe çfarë pritet të ndodhë me çmimet

Taksa e qarkullimit, e cila prej vitit 2011 është paguar përmes çmimit të karburantit, pritet të ndryshojë mënyrën e aplikimit nga janari i vitit 2027. Aktualisht, kjo taksë është 27 lekë për litër, ose 32.4 lekë me TVSH, por me skemën e re do të transferohet te taksat e automjeteve.

Sipas ndryshimit të parashikuar, detyrimi do të përllogaritet në bazë të tre kritereve kryesore: vjetërsisë së automjetit, fuqisë motorike dhe llojit të karburantit që përdor.

Ndërkohë, për të garantuar që heqja e taksës nga karburanti të reflektohet realisht në uljen e çmimit të naftës dhe benzinës, ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se po shqyrtohet krijimi i një mekanizmi të ri dhe të përhershëm transparence.

“Jemi duke menduar një mekanizëm transparence i cili do të jetë permanent me qëllim që të garantojmë që ai reduktim i taksës nuk do të jetë vetëm i reflektuar në çmimet e tabelave në momentin e parë pasi ajo është e paevitueshme, por do të jetë në mënyrë permanente reflektuar në çmimet e tabelave.

Ne kemi një transferim, po të themi, të një pjese të të ardhurave që do të mblidheshin nga karburantet në makina. Megjithatë dhe aty ka një deficit prej 5 miliard lekësh rreth gati 60 milionë euro. Sigurisht që efektiviteti i mbledhjes së taksës në pompë është shumë më i lartë sesa efektiviteti i mbledhjes së taksës në makina. Megjithatë është një nisëm të cilën neve vendosëm që ka ardhur momenti ta ndërmarrim pasi çmimet e karburanteve për hir së vërtetës janë të larta dhe të ndikuara nga kriza në Lindjen e Mesme”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.

Kështu, ndryshimi i parashikuar synon të zhvendosë mënyrën e mbledhjes së taksës nga karburanti te automjetet, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të funksionojë mekanizmi i transparencës për të siguruar që ulja e taksës të reflektohet në mënyrë të qëndrueshme në çmimet në pompa.

Të Fundit