Viti ka nisur me bilanc negativ, 100 mln euro të ardhura më pak nga pushuesit

Ekonomia shqiptare humbi rreth 100 milionë euro, nga mungesa e turistëve të huaj, në periudhën janar-mars të këtij viti.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë rezulton se të ardhurat nga të huajt përmes udhëtimeve janë 240 milionë euro, kundrejt 346 milionë eurove që ishin një vit më parë, edhe pse në shumë vende përfshirë Shqipërinë kishte nisur përhapja e epidemisë së Covid.

Por, nga ana tjetër kufijtë e mbyllur kanë ulur edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit.

Banka e Shqipërisë raporton se nga janari në mars shqiptarët kanë shpenzuar jashtë vendit 138 milionë euro, ose 115 milionë euro më pak.

Ndërsa në vitin që shkoi kur pandemia ishte në fillim të saj shqiptarët kishin harxhuar jashtë vendit 253 milionë euro.

Faktor për tkurrjen e shpenzimeve këtë fillim-vit mbetet po pandemia, me bllokimin e kufijve në BE dhe kushtet e lëvizjes, si testet paraprake apo karantina.

Vetëm në vitin e kaluar, ekonomia e vendit humbi rreth 1.1 miliardë euro, ndërsa nga qeveria shqiptare pritshmëritë për këtë vit janë të larta për turizmin.

Të Fundit