Vidhnin makina në Shijak e Kavajë për t’i shitur për pjesë këmbimi, arrestohen babë e bir

Mersin dhe Julijan Shkalla, babë e bir janë arrestuar nga policia pasi dyshohet se kanë vjedhur 5 makina, të cilat më pas i çmontonin dhe i shisnin për pjesë në biznesin e tyre.

63-vjeçari së bashku me të birin, 33-vjeç, të dy banues në Tiranë dyshohet se kanë vjedhur 5 makina, mes tyre 2 Range Rover, në Shijak e Kavajë, të cilat i çmontonin dhe pjesët e mjetit i shisnin në sërvisin e tyre, në fshatin Priskë.

Njoftimi:

Kavajë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Repeat”, për zbardhjen e rasteve të përsëritura të vjedhjes së automjeteve.
Veprimet profesionale hetimore të kryera në bazë të inteligjencës policore, identifikojnë dhe çojnë në pranga 2 shtetas (babë e bir) që kryenin këtë veprimtari kriminale.

63-vjeçari dhe djali i tij dyshohen se kanë vjedhur 5 automjete dhe targat e 2 automjeteve të tjera, në Kavajë dhe në Shijak.

Gjenden në servisin e këtyre shtetasve, në fshatin Priskë, pjesët e njërit nga automjetet e vjedhura në Kavajë dhe të një automjeti tjetër të denoncuar të vjedhur, në Rinas.

Bllokohet servisi i këtyre shtetasve, në të cilin ata dyshohet se fshihnin automjetet e vjedhura dhe i çmontonin, me qëllim shitjen.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pronës dhe Pasurisë të DVP Durrës dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për 2 shtetas që vidhnin automjete dhe i çmontonin në serivisin e tyre, për t’i shitur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Repeat”.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, janë identifikuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasit:

M. Sh., 63 vjeç dhe J. Sh., 33 vjeç (babë e bir), të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera, bazuar dhe në denoncimet e qytetarëve, për vjedhjen e automjeteve të tyre, dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin:

– më datë 22.02.2024, në Kavajë, kanë vjedhur një automjet tip “Range Rover” dhe një automjet tip “Mercedez Benz”. (Automjeti tip “Mercedez Benz” është gjetur te Liqeni i Thatë, më datë 25.02.2024);

– më datë 17.02.2024, në një pikë për shitjen e automjeteve, në Shijak, kanë vjedhur një automjet tip “Audi A5”, një automjet “Volkswagen” dhe targat e 2 automjeteve të tjera;

– më datë 17.08.2023, në Kavajë, kanë vjedhur një automjet tip “Range Rover”.

Gjatë kontrollit në servisin e këtyre shtetasve, në fshatin Priskë, shërbimet e Policisë kanë gjetur pjesët e automjetit tip “Range Rover” të vjedhur 22.02.2024, në Kavajë, dhe pjesë të një automjeti tjetër të denoncuar të vjedhur, në Rinas.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit