Vëllai i fal fëmijën vëllait, djali merr vesh të vërtetën nga fqinjët pas 18 vitesh

Romeo, një telefonues në “Aldo Morning Show” në Tv Klan shprehet se është kundër faljes së një fëmije një të afërmi që e ka të pamundur të ketë një të tillë. Sipas tij, nëse nuk e kanë të mundur të bëjnë fëmijë me metodat moderne, mund të zgjedhin si një opsion jetimoren. Për të mbështetur idenë e tij, Romeo rrëfen edhe një histori që e ka parë të ndodhë tek fqinjët e tij.

Romeo: Kam komshinjtë këtu ku kam pasur lagjen e vjetër, vëllai i ka falur fëmijën vëllait dhe kur është bërë fëmija 18 vjeç, i kanë treguar si është puna dhe janë ndarë-njëri me tjetrin, nuk i flasin më.

Aldo: Seriozisht?

Romeo: Për Zotin e madh nuk të gënjej asnjë fjalë, pa pikë, pa presje.

Albana Çaushaj: Po fëmija, djali ose vajza që ishte?

Romeo: Fëmija shkoi te prindërit biologjikë.

Aldo: Pas 18 viteve?

Romeo: Pas 18 viteve. Kur u bë 18 vjeç, duke dëgjuar që “ti je djali i filanit”,ai shkon i thotë prindërve “i kujt jam, i joti apo i joti?”, përballë me të dy.

Megi Latifi: Ta marrësh vesh kështu është e rëndë në fakt.

Romeo: Ne shqiptarët e kemi tabunë një çikë të keqe, kur ndodh diçka mes vëllezërve e motrave, fillojmë i përmendim të mirat që kemi bërë.

Aldo: Shto këtu edhe komshinjtë që s’të lënë rehat, fusin hundët.

Romeo: Po, po ajo s’diskutohet. Në mos komshinjtë, do dalë ndonjë i mefshtë nga fisi./tvklan.al

Të Fundit