Vdekja e 32-vjeçarit në Komisariat, pezullohen nga puna dy policët që e shoqëruan

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gjatë një deklaratë në orët e mbrëmjes të së enjtes ka deklaruar se punonjësit e patrullës të Komisariatit Nr. 3, që ndaluan të riun që humbi jetën Lear Kurti, janë pezulluara nga detyra. Ky vendim sipas Muhamet Rrumbullakut mbetet në fuqi deri në sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje të rëndë.

Në një lidhje direkte me Klan News, Gazetari Besar Bajraktaraj thotë se ky vendim erdhi me qëllim shmangien e konfliktit të interesit.

“Në fakt menjëherë pas ngjarjes janë marrë disa vendime nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, siç ka qenë edhe pezullimi i menjëhershëm nga detyra e 2 efektivëve që shoqëronin 32-vjeçarin. Pezullimi është bërë deri në përfundim të hetimeve dhe nëse rezulton se kanë kryer veprime procedurale jo konform rregullave të Policisë së Shtetit atëherë do të ketë ndoshta edhe masë tjetër disiplinore. Ky vendim është dhënë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm. Është një procedura e cila kryhet nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme pak orë pas ngjarjes, ndërkohë që pritet të ketë edhe ndonjë vendim tjetër pas përfundimit të hetimeve nga ana e AMP apo dhe Prokurorisë së Tiranës”.

32-vjeçari Lear Kurti humbi jetën pas shoqërimit nga policia në Komisariatin Nr.3 në Tiranë mbrëmjen e së mërkurës. Ai tentoi t’i largohej policëve me vrap pas një kërkese për kontroll, ndërsa u arrestua disa metra më tej në zonën e Don Boskos. Pas shoqërimit në komisariat, ai shfaqi probleme shëndetësore të cilat i sollën edhe humbjen e jetës, para se të mbërrinte në spitalin e Traumës.

Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike, që dyshohet se kishte lëndën narkotike. Ekspertiza ka arritur në përfundim se ndaj Lear Kurtit nuk është shkaktuar dhunë, por vetëm shenjat e krijuara nga prangosja.

Të Fundit