Maratona e Tiranës, shefi i Qarkullimit: Të dielën lërini makinat në shtëpi, mjetet e parkuara do hiqen me karrotrec

Maratona e Tiranës është eventi më i madh në kryeqytet, ndërsa këtë vit vjen në edicionin e tij të 6 në 23 Tetor. Ky kompeticion sportiv nuk është vetëm një sfidë, por edhe një mundësi e mirë financiare për garuesit. Në edicionin e parë të lajmeve me spikeren Iva Kalemi, kanë qenë të ftuar Roland Hysi i cili është përgjegjës për Drejtorinë e Sportit në Bashkinë e Tiranës, Gentjan Vocaj, Shef i Qarkullimit në policinë bashkiake dhe Geront Shehu përgjegjës nga Drejtoria e Promovimit të Qytetit në Bashkinë e Tiranës.

Shefi i Qarkullimit Vocaj i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ditën e diel t’i kenë larguar automjetet e parkuara në itinerarin e Maratonës, në të kundërtën, do largohen me karrotrec.

“Rrugët kryesore janë Bulevardi “Gjergj Fishta” i cili ka mjete të parkuara, “Bulevardi Bajram Curri”, kjo është pjesa nga ura e Tajvanit deri tek ura e Gjykatës së Shkallës së Parë. Kemi rrugën “Ibraim Rugova” e cila, vazhdon deri tek Ish-Garda, kemi rrugën “Lek Dukagjini”, rrugën “Papa Gjompali” dhe “Xhorxh Bush”. Këto janë rrugë që kanë mjete të parkuara qoftë në zonat ku lejohet parkimi, qoftë në zonat ku janë parkimet të rezervuara. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë mjet të parkuar në këto zona t’i lëvizin para datës 23 sepse në 22 pasdite do të fillojë lëvizja e tyre me karrotrec nga efektivët e policisë bashkiake”, ka thënë Gentjan Vocaj.

Madje ai i bën apel të gjithëve që të dielën të mos dalin me makinë, por në këmbë sepse shumë rrugë të Tiranës do jenë të bllokuara.

Gentjan Vocaj: Për ditën e Maratonës kemi prapë një apel, kësaj radhe për këmbësorët. Nga eksperienca që kemi pasur vitet e kaluara ka qenë me këmbësorët. Këmbësorët duhet të mirëkuptojnë. Nuk mund të presin itinerarin e Maratonës përveçse në pikat e caktuar për këtë qëllim ku do ketë punonjës të policisë bashkiake, zakonisht janë vijat e bardha por dhe aty duhet të tregojnë pak durim pasi nuk mund ta ndërpresin Maratonën ndërkohë që ka vrapues. Duke u nisur nga eksperienca e vitit të kaluar po them këtë, ju lutemi shumë të keni durim sepse nuk mund të vonohen më shumë se 5-10 minuta maksimumi. Maratona është një ngjarje e bukur sportive dhe argëtuese e Tiranës dhe mund ta shfrytëzojnë.

Iva Kalemi: Sa i përket qarkullimit të automjeteve siç po shpjegoni juve Tirana është e pa aksesueshme.

Gentjan Vocaj: I bëjmë apel qytetarëve, mundësisht atë ditë mjetin ta lënë në shtëpi. Në rast se duhet të dalin patjetër, duhet të gjejnë rrugë alternative të cilat nuk ndërpresin itinerarin e Maratonës.

Iva Kalemi: Nuk do ketë përjashtime dhe për rastet e emergjencës?

Gentjan Vocaj: Për rastet e emergjencës do shikohen rast pas rasti, ne kemi marrë disa masa, zona e maternitetit do ketë një kanal, një rrugë të veçantë, tek materniteti Zogu i Parë pasi ka qenë një problematikë që u ndesh vjet, do shikohen rast pas rasti. Por po flas në përgjithësi, qytetarët atë ditë të lënë mjetin në shtëpi dhe të shfrytëzojnë aktivitetin.

Iva Kalemi: Përsa i përket orarit kur do qarkullohet sërish me automjet në qytet?

Gentjan VocajPas orës 16:00, bllokimi i trafikut do të fillojë në orën 8 të mëngjesit deri në orën 16:00. Pas orës 16:00 Tirana do vazhdojë jetën normale si zakonisht. /tvklan.al

Të Fundit