Ka nisur protesta e radhës në Tiranë, ku qytetarë, të rinj dhe studentë janë mbledhur edhe këtë të hënë para godinës së Kryeministrisë.
Tubimi vjen pas protestave të zhvilluara ditët e fundit, të cilat janë shoqëruar edhe me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, rreth orës 19:45, janë regjistruar debate të tensionuara mes disa qytetarëve dhe punonjësve të policisë, të cilët po vendosnin gjoba administrative për personat e konstatuar në protestë. Efektivët u kanë kërkuar qytetarëve dokumentet e identifikimit për të kryer procedurën e ndëshkimit administrativ, por janë përballur me kundërshtimin e tyre.
Një qytetar tha se ishte ndaluar nga policia teksa po kalonte në trotuar dhe se një efektiv i kishte komunikuar se ishte fotografuar gjatë tubimit.
“Po kaloja në trotuar dhe një punonjës policie më kërkoi mjetin e identifikimit, duke më thënë se isha fotografuar në tubim. Polici po bënte gjobën, por unë nuk ia firmosa dhe i kërkova arsyen. Më tha se isha fotografuar në tubim. Unë i thashë se kisha qenë duke kaluar në trotuar me shokët. Më ndaloi dhe më tha se isha konstatuar në foto”, rrëfeu qytetari për mediq.
Megjithatë, pas incidentit, efektivët e policisë janë larguar nga zona.



