Vajza iu mbyt para syve,arrestohet babai shqiptar:S’më lejoi astma ta ndihmoja

Një vajzë 6-vjeçare me origjinë shqiptare humbi jetën tragjikisht dy ditë më parë në plazhin e Korinthit, në Greqi.

Sipas mediave greke, në momentin kur ndodhi ngjarja i pranishëm ka qenë dhe babai i vajzës i cili nuk ka bërë asgjë për ta shpëtuar të bijën nga mbytja. Përpara gjykatës 42-vjeçari ka dëshmuar se nuk mundi të zhytej në ujë për të shpëtuar të bijën pasi vuan nga astma. “Unë nuk u zhyta për ta shpëtuar sepse kam astmë”, tha 42-vjeçari.

Ndaj babait të Amelisë kanë nisur hetimet pasi ai akuzohet se ka ekspozuar në rrezik të miturën. Ai u arrestua dje nga policia greke, ndërsa sot është lënë i lirë me kushte kufizuese.

Hetuesi dhe prokurori vendosën lirimin e tij me kufizimin e daljes jashtë vendit dhe paraqitjen e tij çdo ditë të parë të muajit në komisariat.

Si ndodhi ngjarja?

Gjithçka nisi kur babai shqiptar, i divorcuar nga gruaja, mori Amelian për të dalë për të ngrënë në një restorant buzë detit.

Për shkak se moti ishte i paqëndrueshëm dhe i ftohtë, ata nuk do të laheshin në det dhe për këtë arsye nuk morën rroba banje me vete. Pasi kanë ngrënë, sipas dëshmitarëve okularë Amelia kërkoi nga i ati që të shkonin te varka që ishte ne det. Pas këmbënguljes së të bijës për të notuar, babë e bijë hynë bashkë në det. Vogëlushja nuk dinte not dhe mbante të veshur jelek shpëtimi.

Por sipas dëshmisë të të atit teksa përpiqej ta ngrinte në krah Amelian për ta futur në varkë, ajo rrëshqiti. Menjëherë më pas dëshmoi ai, të miturës i doli jeleku dhe për pasojë 6-vjeçarja përfundoi poshtë varkës dhe u mbyt. Ajo që ngre dyshime për autoritetet greke është fakti që babai nuk bëri asgjë për të shpëtuar të bijën. Ai ka thënë se nuk u zhyt për ta shpëtuar sepse kishte astmë, dhe se nuk mund ta mbante frymën në ujë.

Trupi i pajetë i vajzës 6-vjeçare është pikasur nga një peshkatar poshtë varkës. E mitura ka marrë ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas është transportuar me ambulancë në Spitalin e Përgjithshëm të Korinthit, por për të ka qenë tepër vonë. Ndërkohë, nëna e fëmijës është në gjendje shoku./Opinion.al

Të Fundit