Balluku inspekton Unazën e Madhe: Tirana sot merr frymë lirisht, e kemi harruar si ishte trafiku dikur

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar punimet në lotin 2 të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti Sheshi Shqiponja- Bulevardi i Ri.

Balluku tha gjatë inspektimit se problem gjatë punimeve është bërë lirimi i sheshit të ndërtimeve, ndërsa shtoi se është gjetur një zgjidhje si për banesat e legalizuara, ashtu edhe për ato pa leje.

Zv/kryeministrja tha gjithashtu se në hyrje të Tiranës, tashmë trafiku ka gjetur një zgjidhje dhe qyteti merr frymë lirisht.

“Puna ka nisur prej pak muajsh dhe problematika kryesore ka të bëjë me lirimin e sheshit të ndërtimit. Në 15 qershor Këshilli i Ministrave ka nxjerrë një VKM që zgjidh problematikën me kantieret e unazës së madhe. Është një zonë me banesa të dendura, kryesisht informale dhe për këtë arsye na është dashur ta bazojmë zgjidhjen proceduriale në një VKM.

Ne nuk konsiderojmë për zgjidhje vetëm ato shtëpi që kanë letra, por edhe ato banesa ku qytetarët kanë vite që jetojnë, por nuk i kanë të legalizuara. I kemi akomoduar me një bonus qiraje për 3 vite këto familje.

Në të gjitha pjesët ku me luftë e kemi ndërtuar, sot qyteti merr frymë lirisht. Dikur duhej të qëndroje mbi dy orë në hyrje të Tiranës në orët e pikut, për t’u futur në qytet, kurse sot e kemi harruar si ishte trafiku hyrës apo zona e Astirit”, tha Balluku.

Të Fundit