Tjetërsimi i pronave në Shëngjin, 13 persona në kërkim

Gjykata e Apelit në Shkodër vendosi të linte në fuqi dënimin me burg për të pandehurit

Tjetërsuan dhe përvetësuan me anë të dokumentave të falsifikuara mbi 234 mijë metra katrorë tokë në zonën e “Ranës së Hedhur” në Shëngjin, policia në kërkim të 13 personave.

Uniformat blu prej më shumë se dy ditësh po vijojnë kërkimet për të zbatuar vendimin e gjykatës por nuk kanë mundur që të bien në gjyrmët e tyre. Mes personave që kërkohen është edhe ish-kryetari i qarkut Gjok Ndoka që u dënua me 3 vite burg.

Policia ka dyshime se një pjesë e tyre ndodhen jashtë vendit. Nëse nuk bëhet i mundur ekzekutimi i vendimit të gjykatës, prokuroria nis urdhin për shpalljen e tyre në kërkim ndërkombëtar.

Gjykata e Apelit në Shkodër disa ditë më parë shpalli vendimin duke cilësuar fajtorë 16 ish-zyrtarë të Bashkisë së Lezhës. Në mes të personave që u dënuan me burg dhe që ndodhet në qeli ishte ish-kryetari i bashkisë Fran Frrokaj që duhet të shlyejë dënimin me 3 vite heqje lirie.

Apeli i Shkodrës vendosi për ish-nënkryetarin e Bashkisë Enver Hafizi dhe ish-juristin e bashkisë Ardenis Haxhia dënim me burg në bazë të nenit 59 të Kodit Penal.

Togat e zeza vendosën pezullimin e dënimit me burg për ta dhe konvertimin në shërbim prove. Shkalla e Dytë e Gjyqësorit cilësoi fajtorë për këtë çështje edhe ish-futbollistin Renata Malotaj, të cilin e dënoi me 1 vit shërbim prove, por në Shkallë të Parë ai kishte marrë pafajësi.

Edhe për dy persona të tjerë u vendos dënim me shërbim prove. Ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj ka po ashtu një tjetër çështje po për tjetërsimin e pronave në Shëngjin e cila po hetohet nga ana e Prokurorisë së Posaçme.  

Të Fundit