Takimi “Brdo-Brijunit”, media serbe: Vjosa Osmani e Aleksandër Vuçiç përplasen për kufijtë

Ka nisur me tensione dhe nën një atmosferë të elektrizuar takimi i nivelit të lartë të procesit të njohur si “Brdo-Brijuni”. Gazeta serbe “Vecernje Novosti“ raporton se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnje e Hercegovinë, Shefik Gjaferoviç, kanë ‘sulmuar’ presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas burimeve të “Novostit”, përplasja filloi pasi pjesëmarrësit në samit morën iniciativë në fillim për të miratuar disa konkluzione sipas të cilave kufijtë në rajon janë të pandryshueshëm, të cilat Vuçiç i kundërshtoi paraprakisht.

Osmani dhe Gjaveroviç thuhet se i reaguan ashpër Vuçiçit, duke thënë se Beogradi po i risjell platformat e vjetra për ndryshimin e kufijve. Atyre, sipas “Novostit”, u është kundërpërgjigjur kreu i shtetit serb, ndërsa mësohet se është larguar më shpejt nga takimi.

Në takim, i cili po zhvillohet me dyer të mbyllura, po marrin pjesë edhe presidenti kroat, Zoran Milanoviç, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, Zheljko Komshiç, Shefik Gjaferoviç, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Të Fundit