Studimi: 4% e të moshuarve s’ndihmohen nga askush

Ylli: Duhet të mbështesim familjarët që kujdesen për to

4% e të moshuarve në Shqipëri janë lënë në mëshirë të fatit edhe pse nuk arrijnë t’i shërbejnë dot vetes. Të dhënat e fundit të studimit të kryer nga ekspertë të geriatrisë tregojnë se 1 në 4 të moshuar në Shqipëri kanë vështirësi për të plotësuar kërkesat e jetës së përditshme por vetëm një pjesë nuk ndihmohet nga askush.

“ Të moshuarit e vetmuar që nuk përmbushin dot aktivitet të jetës së përditshme, s’kanë as të afërm janë afër 4% që nuk marrin ndihmë nga askush. Ndërsa 36% e të moshuarve të vetmuar që janë të aftë tregojnë se s’kanë marrë ndihmë nga askush”.

Me fat janë ata që kanë ende të afërm, familjar apo fqinj që ju vijnë në ndihmë. Specialistët i quajnë ato kujdestar informalë, pasi nuk paguhen për punën që bëjnë.

“Shumica janë fëmijët, pas tyre bashkëshortet 1 e 3 kur janë më shumë se dy që ofrojnë mbështetje. Na rezulton 8% të rasteve janë fqinj që ofrojnë mbështetje informale”.

Pas këtij studimi ekspertët e shohin të nevojshëm krijimin e një regjistri ku të identifikohen të gjithë ata persona që kujdesen për të moshuarit dhe t’ju jepet mbështetje nga institucionet shtetërore.

“Mund të ketë karta privilegji të marrin njohje nga bashkia dhe të jenë në listat prioritare. Ata duhet ta ndjejnë dhe të ndihen të vlerësuar përkrah të moshuarve, të vlerësohen dhe kujdestarët. 15% e kujdestarëve informalë kishin probleme me sëmundjet, imobilitetin dhe stresin. Këto duhet të njihen dhe të fillojë dikush të kujdeset ,të futen në një skemë të caktuar”.

Në Shqipëri janë aktualisht 449.225 persona mbi 65 vjeç që përbëjnë  16.08% të popullsisë së përgjithshme. Ekspertët parashikojnë që deri në 2031  kjo grupmoshë të përbëjë 21.8% të popullsisë së përgjithshme ndaj dhe kërkojnë të merren masa për kujdesin ndaj të moshuarve./TvKlan

Të Fundit