Fenomeni “Verjana Gega” nuk ka të ndalur. Zonja Gega vazhdon të mbajë peng mijëra euro të qytetarëve, që ajo i ka përfituar, duke mashtruar me premtimin e punësimit në Gjermani, nën emrin e një agjencie të mbyllur tashmë, “Perla”.Sot sjellim rastin e një djali nga Berati, Albano Kola. Albano tregon, se i dha Verjanës 1800 euro, në këmbim të një kontrate në Gjermani në fushën e ndërtimit.Kur pa që Veriana nuk ia mundësoi punësimin, ai i kërkoi paratë mbrapsht. Zonja Gega i paraqiti një deklaratë noteriale, kur premtonte t’i kthente në muajin prill 2000 euro, por sot ajo nuk i hap as telefonin.Ne i drejtohemi Krimit Ekonomik, pasi Albano, e ka kallëzuar aty rastin e mashtrimit të tij.Oficeri i Krimit Ekonomik sqaron, se të gjitha materialet për këtë rast janë referuar në prokurori.Nga ana tjetër Albano nuk është thirrur asnjëherë në organin e akuzës. Për dy raste të tjera ndaj Verjana Gegës është marrë vendim për mosfillim procedimi, pasi ajo ua ka kthyer paratë qytetarëve denoncues.
Në datën 13 maj transmetuam rastin e pallatit Vllaznia në zonën e Freskut. Rrëshkitja e dheut ngjitur me pallatin, prej muajsh rrezikon banorët.
Ne jemi rikthyer pas një muaji në këtë zonë dhe disa banorë thonë, se ende nuk është miratuar projekti, për të ndërhyrë.Fatmir Ndreu tregon, se gjendja është përkeqsuar, ndaj duhet ndërhyrë urgjentisht. Ne i drejtohemi Bashkisë së Tiranës, ku na thonë, se projekti është miratuar, por detyra e Bashkisë dhe Drejtorisë së planifikimit dhe zhvillimit të territorit, është deri këtu.Më pas duhet të ndërhyjë ndërtuesi ose banorët, pasi bëhet fjalë për pronë private.
Një tjetër rast mashtrimi nga Verjana Gega na con në Gramsh.Eduart Sela tregon, zonja Gega i premtoi punësim si shofer në Gjermani. Por viza iu refuzua dhe Verjana Gega nuk i kthen shumën prej 1500 eurosh. Ajo i mbyll telefonin dhe i shtyn takimet. Pas Eduardit kemi tentuar edhe ne si “Stop” të kontaktojmë zonjën Gega, por ajo, sapo mëson, se po kërkojmë të verifikojmë situatën, na e mbyll edhe neve telefonin.