STOP – EMISIONI 136 (SEZONI 3) 12 mars 2018 – Stop
STOP

STOP – EMISIONI 136 (SEZONI 3) 12 mars 2018

Autobot gjithëpërfshirës në Shkodër, Rama si inspektor i punës.

Bashkia e Shkodrës duket, se po bën cdo ditë përpara. Autoboti, i përdorur për zhbllokimin e pusetave në disa zona problematike, u shndërrua në furnizues me ujë të pijshëm të zonës Ana e Malit, ku u krijuan probleme nga përmbytjet.Kryeministri Rama ishte sot në një kompani private, për të folur për punësimin.rama nuk hezitoi të sillej si inspektor i punës, duke pyetur punonjësit për pagat dhe duke bërë batuta, gjë që e ka kthyer në mënyrë komunikimi në cdo dalje publike.

Lezhë, ping-pong mes postës e hipotekës: kush i firmosi dokumentat?!

Dila Lleshi, një qytetare nga Lezha ankohet në emisionin “Stop” se ka qenë në pritje të një përgjigjeje nga Hipoteka, përmes shërbimit postar. Në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme i thonë që ia kanë nisur dokumentet me postë, çka provohet në zyrat e postës, ku dokumentet rezultojnë të firmosura.

Denoncuesja thotë se as nuk i ka marrë dhe as nuk i ka firmosur dokumentet në fjalë. Drejtori i postës shprehet se kush e ka bërë falsifikimin do të mbajë përgjegjësi. Por punonjësi i postës, Admir Duli, që rezulton të ketë çuar dokumentacionin e Diles thotë se nuk e ka patur kurrë në dorë porosinë e Diles, ndaj dhe nuk i ka dorëzuar gjë.

Në këtë mënyrë të gjithë përgjegjësit luajnë ping-pong, ndërsa faji mbetet jetim.

“Unë quhem Dila Lleshi dhe jam banuese në qytetin e Lezhës. Në vitin 2013 sipas ligjeve që nxorri qeveria, kam çuar letrat për legalizim te ALUIZNI, i cili më dërgoi te Hipoteka. Hipoteka nga viti 2013 e deri në vitin 2017 me përvetësitë e saj m’i ndaloi e mi shiti në fillim të 2017. Atëherë shkoj t’i marr te Hipoteka, punonjësja më thotë që t’i kam dërguar letrat me postë. I them që nuk më kanë ardhur dhe më thotë që i kam firmosur. Shkoj e verifikoj dhe i them që nuk ishte shkrimi dhe firma ime. Unë pa gjetur letrat kryesore që është firmosur me emrin tim nga dikush tjetër, unë nuk pranoj letra të tjera. Si përfundim, çfarëdolloj letrash që të bëjnë, unë dua letrat e para që të di se kush ka firmosur. Për këtë ka mundësi, sepse është kaligrafia që verifikohet, prandaj ju jam drejtuar për të më ndihmuar”.

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë për të pyetur nëse në regjistrin e dërgesa postare gjenden dokumentet e Dila Leshit.

Specialistja e Arkivës në Z.R.P.P Lezhë, Erida Marku u shpreh se dokumentet e denoncueses i janë dërguar Postës Shqiptare Lezhë më datë 18.10.2017, çka e vërtetojnë edhe me librin e dorëzimeve.

Ndaj gazetarja shkoi pranë Postës Shqiptare Lezhë, ku komunikoi me drejtorin e këtij institucioni, Erenis Çelën.

“Rezulton nga verifikimi që shpërndarësi dhe përpunuesi kanë firmosur dhe në këtë datë është firmosur nga personi ankimues, Dila Lleshi, që kjo është marrë në dorëzim nga ana e saj. Kuptohet kja ka ndodhur shumë më parë se të isha unë drejtues i këtij institucioni dhe përveç këtij dokumenti që unë disponoj, nuk kam pamje filmike që të verifikoj ka qenë a jo personi që ka tërhequr këtë zarf”.

Ai shtoi se nëse punonjësit e postës kanë abuzuar me detyrën, atëherë do të mbajnë përgjegjësi. Nuk mbeti gjë tjetër veçse të komunikohej me postierin që ka firmosur dokumentin e shpërndarjes së postës, Admir Dulin.

” Jo, jo! As që i kam patur ndonjëherë këto letra në dorë e as i kam dhënë gjë, unë personalisht jo. Zonja është në lagjen që mbuloj unë, prandaj është emri im. Unë e njoh zonjën dhe s’ka shanse që ta kem patur lëtë letër në dorë!”

Ndërsa përpunuesja e postës tha se nuk e mban mend rastin në fjalë, pasi ka kaluar shumë kohë.

Me pak fjalë gjithçka është mister, pasi faji do të mbetet jetim.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *