STOP – 15 Shkurt 2018 EMISIONI 119 (SEZONI 3)

Debati për shembjen e teatrit dhe teatri parlamentar i cdo të enjteje.

Në kulmin e debatit për shembjen ose jo të teatrit kombëtar, “Stop” ju propozon një teatër alternativ, që luhet cdo të enjte në sallën e parlamentit. Edhe sot tempulli i të zgjedhurve u shëndërrua në arenë debatesh, jo për ligje e programe, por për batuata, humor e vulgaritet.

Nisma e “Stop”: sigurimi i mjekëve, zgjidhja për gabimet dhe komplikacionet.

“Stop” ka trajtuar disa herë raste të mjekimeve të gabuara, apo komplikacioneve, gjatë ndërhyrjeve në fushën e mjekësisë. Por bota duket se e ka zgjidhur këtë problematikë me ligjin e sigurimit të mjekëve. Në këtë mënyrë, bluzat e bardha nuk ndëshkohen penalisht, por i dëmtuari dëmshpërblehet nga kompanitë e sigurimeve.I jemi drejtuar për këtë disa kompanive të sigurimit, që janë të janë të gatshme për këtë nismë e po kështu zëvendësministres së Shëndetësisë, që thotë, se po përgatiten ndryshimet ligjore.

Nuk përfiton leje lindjeje, fëmija erdhi në jetë 5 ditë më herët.

Qytetari Joni Zere nga Korça tregon se para se të bëhej me fëmijë, pagoi 500 mijë lekë te Sigurimet Shoqërore për shkak të një ligji, që do t’i mundësonte të shoqes marrjen e një kontributi mujor në formën e lejes së lindjes. Por pagesa e bërë jo 35 ditë, por 30 ditë para ardhjes në jetë të fëmijës e penalizoi.

Specialisti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Korçë thotë se bashkëshortes së Joni Zeres nuk i takon as leja e lindjes e as të marrë paratë mbrapsht. Kjo shumë do të shkojë në kontributet e zonjës në fondin e pensionit…

“Kam një problem me sigurimet shoqërore. E kisha gruan 8-muajshe shtatzënë dhe më thanë që duhet të hedhësh një kontribut prej 500 mijë lekësh (të vjetra) që të njihet leja e lindjes. Duke qenë se gruaja nuk ka punuar, unë e bëra këtë shumën e derdhjes së lekëve për të marrë kontributin, por ç’ndodh? Më datë 27 Nëntor lind gruaja. Problemi qëndron që këta më thonë që gruaja duhej të kishte lindur brenda 35 ditëve, por ajo lind brenda fiks 1 muaji. Sipas sigurimeve, djali duhej të kishte lindur në 5 Dhjetor”.Joni Zere tregon se Instituti i Sigurimeve Shoqërore nuk e vuri në dijeni të këtij kushti, ndaj kur i erdhi në jetë djali 30 ditë pas pagesës së kontributit, nuk ia dhanë paratë.ë kërkoj që të zgjidhet e drejta ime. Dua lekët e mia mbrapsht se kam derdhur 500 mijë lekë!”

Gazetarja e emisionit “Stop” sëbashku me denoncuesin iu drejtuan Institutit të Sigurimeve Shoqërore Korçë, ku komunikuan me specialistin.

Specialisti – Neve në Zyrën e Përfitimeve Afat-shkurtra, shqyrtojmë dokumentin, kur ka derdhur sigurimet shoqërore. Ai i ka derdhur në datë 27.10.2017. Shikojmë kur ka lindur gruaja… fëmija ka lindur më datë 27.10.2017.

Gazetarja – I njëmbëdhjeti, zotëri!

Specialisti – I njëmbëdhjeti, më fal!

Specialisti – Është me rregullore: “E drejta për pagesë nga Sigurimet Shoqërore i lind ditën e 35-të, para lindjes së fëmijës”.

Gazetarja – Si ia pranuat ju këtij për kontributin, që ta derdhte datë 27, sepse fëmija mund të lindte nga momenti në moment. Ishte i vonuar ky zotëria.

Gazetarja – E dije këtë këtu ti : “E drejta për pagesë nga Sigurimet Shoqërore i lind ditën e 35-të, para lindjes së fëmijës?”

Qytetari – Jo, jo!

Gazetarja – Sepse po ta dije këtë (rregulloren), ti nuk do t’i derdhje 500 mijë lekëshin.

Qytetari – S’i paguaja unë.

Gazetarja – Tani, jemi në kushtet ku ky (qytetari) e ka bërë derdhjen më datë 27 tetor dhe ka lindur fëmijën, më datë 27 nëntor. Muaji i 8-të, për të 9-in. Më kupton?

Specialisti – Dakord zonjë, dakord, por…

Gazetarja – Ishte… pritej punë ditësh, mund të lindte edhe 8-muajsh fëmija se ka fëmijë që lindin edhe shtatanikë. Nuk ka rëndësi që në momentin, që nëna mban në bark, që ka kaluar 7-mujorshin, unë besoj se derdhja e kontributeve është e vonuar. Apo jo?

Specialisti – Nuk e di, zonjë!

Gazetarja – (Qesh) Si nuk e di? O e di, o s’e di! Mund ta orientoje ti, mos e bëj këtë derdhje kontributi sepse bën vaki e merr, bën vaki s’e merr. Më kupton? Sepse ti je në limitet. Si do ia bëjmë tashi në këtë rast?

Specialisti – Personi ka të drejtën ta ankimojë brenda institucionit. E shqyrton Komisioni Rajonal i Ankimimit. Juristi shikon anën ligjore dhe i jep të drejtë ose jo personit…

Gazetarja – Ëhë …

Specialisti – Ose më jep të drejtë mua (ISSH-së).

Gazetarja – Kush jurist?

Specialisti – Juristi i Sigurimeve Shoqërore.

Gazetarja – E do i japi personit? Juristi juaj do t’i japi personit të drejtë? Po ju jep juve të drejtë.

Specialisti – Po kështu është procedura zonjë, tani.

Gazetarja – Po nuk është konflikt interesi që juristi i drejtorisë suaj të gjykojë këtë…

Specialisti – Nuk e di tani! Kjo është procedura. Nëqoftëse dhe juristi pastaj i jep vendim negativ

Gazetarja – Që do e japi me siguri!

Specialisti – Nuk e di atë pjesë unë!

Gazetarja – Ëhë…

Specialisti – Atëherë, personi ka të drejtën e ankimimit në Institutin e Sigurimeve Tiranë.

Gazetarja – Nuk mund t’i thuash qytetarit që pse e linde ti more vëlla më datë 27 Nëntor, sepse më datë 27 Tetor ky bëri derdhjen, kontributin. Po e vendos Zoti atë se kur lind!

Specialisti – Detyra ime parësore është të mbroj Fondin e Sigurimeve Shoqërore.

Gazetarja – Po qytetarin kush do ta mbrojë tashi që i kanë ikur 500 mijë lekë? Ti thua bëj ankimim.

Specialisti – Kështu i bie, që Sigurimet Shoqërore të jenë si firmë piramidale. Të paguash ti 500 mijë lekë e të marrësh 1 milionë e 200 mijë.

Gazetarja – Mos e prano që në fillim, more vëlla. Janë kushtet tuaja. Pse e pranon ti që në fillim?

Specialisti – Dakord për atë pjesë!

Moderatori Saimir Kodra u shpreh se Instituti i Sigurimeve Shoqërore duhet të ketë një klauzolë të saktë, sepse gruaja që ka kaluar muajin e shtatë të shtatzënisë nuk duhet të paguajë kontributet, pasi mund të lindë kurdo.

Tanimë bashkëshortja e Jani Zeres nuk do të mund të marrë një kontribut mujor në formën e lejes së lindjes, ndaj gjendet mes dy zgjedhjeve, ose ta ankimojë vendimin ose t’i harrojë 500 mijë lekët dhe kontributin.

 

Të Fundit