Në redaksinë tonë ka denoncuar një farmacist i ri i cili, na tregon, se në 27 dhjetor, një ditë pasi hapi në mënyrë të rregullt farmacinë e tij, u përball me një kontroll të stisur nga dy inspektorë të Agjensisë së Barnave. Ata inskenuan disa shkelje dhe i thanë, se do të gjobitej me 4 milionë lekë të vjetra.
Nëse nuk donte të paguante kaq para, mund të mjaftoheshin, duke u dhënë atyre nën dorë 1 milionë lekë.Luan Cici, njëri nga inspektorët, tregon mënyrën, sesi piketohen farmacitë dhe si “vilet” ryshfeti.Ai thotë, se sado i rregullt të jesh, mund të gjenden klecka për t’u gjobitur, nëse nuk paguan.
Pak ditë më pas, në 8 janar 2023, Luan Cici dhe Armando Luka shkojnë sërish në farmacinë e denoncuesit, ku në një kthinë marrin këstin e parë të ryshfetit prej 300 mijë lekësh të vjetra. 5 ditë më pas, Armando Luka merr tek farmacisti këstin e dytë prej 300 mijë lekësh të tjera.Ndërsa Luan Cici shpjegon, sesi funksionon rrjeti i gjobaxhinjve të farmacive, në mënyrë që të shmanget hyrja e Krimit Ekonomik.
Në nisje të emisionit sjellim disa foto virale, që tregojnë ndryshimin e kohëve. Si ka ndryshuar jeta jonë duke krahasuar vitet 1995 dhe 2020.Që nga veshjet e deri te lojrat argëtuese, duket sikur ka një ndryshim epokal.
Një tjetër situatë humori paraqet një video e një gruaje me taka të larta, e cila edhe nën efektin e pijes, nuk mund të rrijë në këmbë, por rrëzohet disa herë në korridorin e një hoteli.
Ndodhemi në zonën e Kombinatit në shtëpinë e zonjës Hirije Mehmeti. Ajo tregon, se ka aplikuar për pension social dhe prej korrikut nuk ka asnjë përgjigje. Hirija jeton e vetme dhe nuk ka asnjë të ardhur. Ne u interesuam pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë dhe na u tha, se dosja e zonjës Hirije ishte në proces verfikimi dhe këtë javë i kaloi.