Skënder Brataj, drejtor i Urgjencës Kombëtare është shprehur gjatë takimit me mjeket e diasporës se mund të këtë kufizime të tjera, për shkak të situatës së pandemisë.
“Pritet që Komiteti i Ekspertëve për të marrë vendimin nëse do kemi shtrëngim masash. Këto dy javë kemi pasur rritje të infektimeve, por situata është e qëndrueshme. Mund të ketë kufizime të tjera”, mësohet të ketë thënë mjeku.
Sa i përket votimit më 25 prill të personave të infektuar me COVID-19, zoti Brataj tha se ende nuk ka një vendim sesi do votojnë personat e prekur.
Pritet që Komiteti i Ekspertëve të mblidhet ditën e nesërme për të përcaktuar masat e reja anti-COVID.
Prej 11 shkurtit e deri më sot janë regjistruar 13,635 raste të reja dhe 208 viktima, me një mesatare prej rreth 1,050 rastesh dhe 16 viktimash në ditë.
Ndërkohë numri i të shtruarve në spitale është shtuar ndjeshëm nga 492 që ishte më 11 shkurt në 648 të martën.
Në përgjithësi raporti i të shëruarve dhe të infektuarve ka vijuar të jetë negativ pavarësisht se gjatë këtyre dy javëve, sipas të dhënave të ministrisë janë shëruar mbi 11,000 persona.
Aktualisht numri i rasteve aktive është në 35,207, me një rritje prej 1,310 rastesh më shumë se data 11 shkurt.
Mjekët bëjnë apel për shtrëngim masash.