“Sigurimi i vaksinave, meritë e veçantë e kryeministrit”-Rakacolli tregon përfitimet e marrjes së vaksinës kineze në Turqia.

Në fjalën e mbajtur në Komisionin e Ekonomisë, Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se kryeministri Edi Rama ka një meritë të veçantë për sigurimin e vaksinave anti-Covid, në një kohë që kjo çështje është sfidë për të gjitha qeveritë kudo në botë.

“Kemi parasysh një gjë që unë e thashë më një fjali. Sfida më e madhe e qeverive të të gjitha vendeve është sigurimi i vaksinave. Nuk ka vaksina për të gjithë botën në të njëjtën kohë. Prandaj e theksojmë gjithmonë që është meritë e veçantë e kryeministrit arritja e sigurimit të këtij numri vaksinash. Kjo është arsyeja që kemi dashur që në kohë sa më të shkurtër të sigurojmë doza vaksinash. Do ti merrnim ato nga Kina apo do t’i merrnim nga Turqia…

E rëndësishme është ku i gjenim më parë, nga vinin më parë dhe natyrisht edhe kostoja. Sepse kostoja për ardhjen nga Kina do të ishte më e madhe se për ardhjen nga Turqia. Fakti që u morën nga Turqia ka të bëjë me atë që i gjetëm në një kohë shumë të shkurtër dhe ato do të jenë të pranishme këto vaksina turke deri në fund të majit. Pra deri në fund të majit, arrijmë që të bëjmë një gjë që nuk e ka bërë rajoni, që të kemi jo aq sa ka thënë kryeministri 500 mijë, por edhe më tepër persona të vaksinuar që ti japim frymë ekonomisë, ti japim frymë turizmit”, tha Rakacolli.

Kryetarja e Komitetit Teknik foli edhe lidhur me efikasitetin e vaksinës kineze, duke u shprehur se ajo nuk e ka efikasitetin më të vogël.

Sipas Rakacollit rezultatet mbi Sinovac janë nxjerrë nga një studim në Brazil, ku shifrat ishin dyfish më të larta nga vendi ku u bë studimi për Pfizer.

“Në lidhje me efikasitetin, kemi dashur të sigurojmë një vaksinë të sigurt. Efikasiteti i vaksinës vlerësohet në radhë të parë me vlerën që ka për mbrojtjen e jetës. Në lidhje me përqindjet e rezultateve, kur del përqindja e efikasitetit ka të bëjë me vendin ku është përdorur, grupin e studimit dhe metodikën e përdorur.

Nëse bëhet një studimi ku njerëzit e marrin vaksinën, ku incidencë e sëmundjes është shumë e lartë, mundësia për të marrë është më e madhe nëse të njëjtët njerëz do të futeshin në një vend ku incidenca dhe mundësia për ta marrë do të ishte më e vogël.

Vaksina kineze nuk e ka efikasitetin hiç më të vogël. Ai rezultat është nxjerrë në Brazil, në kohën kur ishte virusi brazilian, kur rastet ditore ishte në shifra të larta, kur studimi për Pfizer është bërë në atë vend ku numrat ishin dyfish më të vegjël”, shtoi ajo.

 

Të Fundit