Dy muaj më parë emisioni “Stop” transmetoi historinë e trishtë të familjes Sorra në Kashar. Kushtet e jetesës ishin në kufijtë e mbijetesës, ndërsa kryefamiljari ishte shumë i sëmurë.
“Jam shumë e varfër. Marr 60 mijë lekë në muaj. Me ato paguaj dritat, 37 mijë lekë në muaj. “Fundjava ndryshe” na ka ndihmuar. Në mëngjes hanë valë, në drekë u jap ndonjë kos ose qumësht se kam një lopë, ndërsa në darkë gjellë me presh kur më sjellin komshinjtë. Përveç kësaj e kam dhe bashkëshortin shumë të sëmurë, me kancer në mushkëri. Vejeni dorën në zemër për mua dhe 3 fëmijët e mi”, u shpreh asokohe zonja Sorra.
Një prej fëmijëve tha me lot në sy: “Unë kërkoj të kem ushqim!”, ndërsa e motra kërkoi një shtëpi të ngrohtë.
Pak kohë më vonë kryefamiljari ndërroi jetë, duke e lënë bashkëshorten dhe fëmijët të vetëm në kushte të mjerueshme jetese.
Por emisioni “Stop” sëbashku me “Fundjavë ndryshe” dhe presidentin e Balfin Grup, Samir Mane nuk mund t’i lenin në këtë gjendje, ndaj dhe ia rindërtuan shtëpinë familjes Sorra, duke e kthyer në një banesë të re dhe të ngrohtë.
Të gjithë donatorët surprizuan dhe i rikthyen buzëqeshjen familjes Sorra, duke i treguar shtëpinë e re.
“Jam në ëndërr, nuk jam zgjuar!”, u shpreh kryefamiljarja. Ndërsa Samir Mane tha: “Duke parë emisionin “Stop” dëgjova për hallin e familjes. U ndjeva i privilegjuar që munda të ndihmojë sado pak për ndërtimin e kësaj shtëpie të re të familjes. Shpresojmë që këtë bashkëpunim ta kemi edhe për familje të tjera. Ju falenderoj të gjithëve dhe ta gëzoni shtëpinë e re!”
Nga ana tjetër, Arbër Hajdari tregoi se humbja e kryefamiljarit është e pazëvendësueshme, por mundën t’ja lehtësojnë sado pak dhimbjen me kushte jetesësore më të mira.
Kryefamiljarja i falenderoi të gjithë donatorët, duke thënë: “Zoti ua shpërbleftë të gjithëve!”