Shiste paketa cigaresh kontrabandë, policia vë në pranga një person në Durrës

Një operacion i policisë së Durrësit i koduar “Akciza” ka sekuestruar dhjetëra steka me paketa cigaresh, të dyshuara të futura kontrabandë në vendin tonë, duke vënë në pranga një persin

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Akciza”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë A. M., 53 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasi S. Ç., 30 vjeç, banues në Durrës.

Arrestimi i 53-vjeccarit A. M., u bë pasi, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë, në biznesin e tij (Exchange/Tabachino), në Durrës, u gjetën dhe u sekuestruan, në ambientet e brendshme të këtij biznesi, një sasi e konsiderueshme paketash me cigare, steka dhe paketa të hapura, të dyshuara të kontrabanduara në vendin tonë, të cilat nuk ishin të pajisura me pullën fiskale përkatëse të Republikës së Shqipërisë, por me pulla të shteteve të Greqisë dhe Italisë.

Po gjatë këtij operacioni, është ushtruar kontroll në dyqanin e shtetasit S. Ç., ku shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi stekash me paketa cigaresh dhe paketa të hapura, të markave të ndryshme, të dyshuara të futura kontrabandë në vendin tonë.

Lidhur me këtë rast, materialet i kaluan Prokurorisë Durrës për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Të Fundit