Shëndeti mendor prek 1 në 8 persona, në Shqipëri shifra më të larta

10 tetori është dita botërore e shëndetit mendor. Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaron se 1 në 8 persona preken prej këtyre sëmundjeve, por sa i takon Shqipërisë ekspertët janë të mendimit se shifrat janë më të larta, pasi shqiptarët kanë turp të drejtohen tek psikologu për të tilla problematika.

“Kemi një rritje të problematikave të shëndetit mendor në popullatë pas tërmetit, pas COVID, rritje e dukshme, gjë që e konfirmojnë dhe psikiatrit. Ka statistika të INSTAT, por psikologët dhe psikiatrit mendojnë se janë disa fish më të larta nga sa janë publikuar. Njerëzit e kanë të vështirë të shkojnë te psikologu dhe psikiatri, njerëzit e fshehin problemin e tyre, e mbajnë brenda shtëpisë, kështu që në këto kushte ne nuk kemi statistika të qarta të problematikës së shëndetit mendor,” – u shpreh Valbona Treska, presidente e Urdhrit të Psikologut.

Por cilat janë problematikat më  të shprehura të shëndetit mendor në Shqipëri?

 “Kemi një tendencë të shtuar të çrregullimeve të humorit, por ka dhe problematika të tjera edhe çregullime më të theksuara dhe më të forta siç mund të jetë dhe skizofrenia,” – u shpreh Treska.

Duke dashur të fshehin problemin, qytetarët i drejtohen vetë mjekimit, direkt në farmaci.

 “Xanax, zolof janë në masë të përdoruar pa asnjë rekomandim nga mjeki vetëm me rekomandim nga mjeku, vetëm me rekomandim nga të afërm apo nga farmacisti. Thirrja është drejtohuni tek profesionistët jo çdo gjë zgjidhet vetëm, jo çdo gjë zgjidhet brenda familjes,” – shtoi Treska.

Ekspertët tërheqin vëmendjen për kapjen në kohë të problematikave të shëndetit mendor. Sipas të dhënave globale, çdo vit preken prej sëmundjeve të shëndetit mendor, 19% e popullsisë së rritur, 46% e adoleshentëve dhe 13% e fëmijëve.

 

Të Fundit