E Martë, 24 Nëntor 2026
Lajm i fundit
“Nëse tentojnë të më arrestojnë, futem në grevë urie”, Vuçiç: Një milion njerëz do dalin në rrugë Zbulohet “laboratori” nëntokësor i kanabisit në Shkodër, arrestohen 10 persona! Zbulohen 2600 bimë dhe 170 kg drogë e përpunuar Çfarë fshihet poshtë? Zbulohen tunele sekrete nën monumentin 1500-vjeçar Infermierët dhe mjekët e rinj, direkt në Provimin e Shtetit, pas praktikës! Kumbaro e Spahiu takojnë studentët: Do të vijojmë lehtësimin e procedurave Moti i keq, shembet çatia e spitalit të Pukës, bie mbi ambulancën Do të dyfishohet pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuara, Spahiu: Mbështetje edhe për prindërit kujdestarë Platforma ‘Fol me Kryeministrin’, 1.912 qytetarë shprehin shqetësimet e sugjerimet! Kryesojnë denoncimet, problemet me legalizimet e propozimet për politika të reja Ministria e Mbrojtjes përgënjeshtron pretendimet: Shqipëria nuk u përfshi në sulmin me dronë ndaj anijes ruse pranë Libisë Avokati i Veliaj, Ndreca: Nga sot do të jem një socialist që nuk hesht dhe që nuk e braktis lirinë në të cilën besoj 15-vjeçarja në hotel me 37-vjeçarin, pas transmetimit të Stop, dy të arrestuar!
Aktualitet

Rrumbullaku largohet nga Policia e Shtetit: Momenti i mbylljes së një cikli

Mesazh i Muhamet Rrumbullakut me rastin e dorëzimit të detyrës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit:

Të nderuar punonjëse dhe punonjës të Policisë së Shtetit,

Mbyllja e angazhimit në detyrën e lartë shtetërore të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është momenti më i mirë për t’ju drejtuar të gjithëve ju me një falënderim nga zemra për përpjekjet e përbashkëta dhe arritjet në këto dy vjet.

Jam i mbushur me obligimin për t’ju përshëndetur dhe falënderuar të gjithëve një nga një, për t’ju shtrënguar duart me përuljen më të madhe për sakrificën tuaj të vazhdueshme, çdo vit, çdo muaj të vitit, çdo ditë të muajit dhe çdo orë të ditës e natës.

Vullneti dhe ndershmëria në përmbushjen e detyrës së punonjësve të policisë, që kam patur fatin ta jetoj bashkë me ju për mbi 3 dekada, ka prodhuar rend e siguri në Shqipëri. Sot vendi ynë regjistron treguesit e sigurisë më të mirë që ka patur ndonjëherë, falë një progresi të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit dhe ndihmës e mbështetjes domethënëse nga Ministria e Brendshme e Qeveria, nga Partnerët Ndërkombëtarë e Agjencitë e Zbatimit të Ligjit dhe padyshim, falë bashkëpunimit të vyer me qytetarët.

Policia e Shtetit nuk është sot një institucion i përsosur e pa probleme, por padyshim rritja e besimit të qytetarëve te uniformat blu, besimi i shtuar i komunitetit të agjencive ligjzbatuese, brenda e jashtë vendit, dhe treguesit e kriminalitetit e gjendjes së sigurisë në vend dëshmojnë se Organizata e Policisë duhet të ndihet krenare për rezultatet e saj.

Ajo që arritëm së bashku, duke garantuar siguri, rend e goditje të kriminalitetit, teksa Shqipëria u kthye në një destinacion turistik të pamenduar e të paparashikuar më parë, është një trashëgimi e vlefshme, që jam i bindur se do të dini ta çoni më tutje të gjithë bashkë.

Procesi voluminoz dhe i munguar prej vitesh i konkurrimit për fitimin e gradave, i zbatuar në mënyrë të paanshme e transparente, sipas parimit të meritës e mosdiskriminimit, u krijoi punonjësve të Policisë së Shtetit shanse të barabarta për të qenë pjesë e proceseve garuese e përzgjedhëse, të normuara sipas ligjit të ri.

Vizioni dhe kontributet për ligjin e ri të Policisë së Shtetit, ku konturohet një menaxhim modern e bashkëkohor i organizatës; akreditimi dhe standardizimi ndërkombëtar i arsimit të lartë policor; “toleranca zero” ndaj çdokujt në radhët tona që tradhton uniformën dhe bashkëpunon me krimin, kanë qenë gjatë këtyre 735 ditëve të shkuara prioritetet tona, që sot mund të themi se i kemi përmbushur të gjithë bashkë.

Të nderuar kolegë,

Lënia e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është për mua edhe momenti i mbylljes së një cikli me uniformën e shenjtë të punonjësit të policisë, për të cilën kanë dhënë jetën në krye e për shkak të detyrës 228 kolegë, bijë nënash, prindër, bashkëshortë, vëllezër, shokë e miq, të cilët nuk do të harrohen kurrë.

Gjaku i tyre dhe sakrificat që punonjësit e policisë bëjnë në çdo sekondë duhet të jenë një motor që prodhon energji të pashtershme për të gjithë, duke synuar parandalimin e goditjen e krimit dhe garantimin e rendit e sigurisë në vend. Pavarësisht çdo përballjeje duhet të jeni gjithmonë kryelartë nga kjo sakrificë.

Me Flamurin Kombëtar dhe Flamurin e Policisë së Shtetit gjithnjë pranë meje, ju siguroj se do të jem mbështetësi juaj kryesor në çdo kohë dhe rrethanë.

Duke i uruar suksese çdo punonjësi policie në punën e tij dhe organizatës së Policisë së Shtetit, më të mirën drejt përmbushjes së misionit ligjor, ju përshëndes përzemërsisht.

Me respekt,

Denonco te STOP

Keni një shqetësim që duhet ta dijë opinioni publik?

Na kontaktoni me telefon ose WhatsApp. Ekipi i STOP verifikon çdo sinjalizim dhe del në terren.

↑