E Hënë, 23 Nëntor 2026
Lajm i fundit
“Nëse tentojnë të më arrestojnë, futem në grevë urie”, Vuçiç: Një milion njerëz do dalin në rrugë Zbulohet “laboratori” nëntokësor i kanabisit në Shkodër, arrestohen 10 persona! Zbulohen 2600 bimë dhe 170 kg drogë e përpunuar Çfarë fshihet poshtë? Zbulohen tunele sekrete nën monumentin 1500-vjeçar Infermierët dhe mjekët e rinj, direkt në Provimin e Shtetit, pas praktikës! Kumbaro e Spahiu takojnë studentët: Do të vijojmë lehtësimin e procedurave Moti i keq, shembet çatia e spitalit të Pukës, bie mbi ambulancën Do të dyfishohet pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuara, Spahiu: Mbështetje edhe për prindërit kujdestarë Platforma ‘Fol me Kryeministrin’, 1.912 qytetarë shprehin shqetësimet e sugjerimet! Kryesojnë denoncimet, problemet me legalizimet e propozimet për politika të reja Ministria e Mbrojtjes përgënjeshtron pretendimet: Shqipëria nuk u përfshi në sulmin me dronë ndaj anijes ruse pranë Libisë Avokati i Veliaj, Ndreca: Nga sot do të jem një socialist që nuk hesht dhe që nuk e braktis lirinë në të cilën besoj 15-vjeçarja në hotel me 37-vjeçarin, pas transmetimit të Stop, dy të arrestuar!
Bota

Rritet sërish numri i infektuarve me koronavirus në Evropë/ Varianti britanik është dominant në të paktën dhjetë shtete

Numri i rasteve të infektimit me koronavirus është duke u rritur sërish në gjithë Evropën, duke i dhënë fund trendit gjashtë javor të rënies, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Evropa ka regjistruar 1 milion të infektuar javën e kaluar, 9 për qind më shumë sesa java paraprake.

Rritja e numrit të rasteve është nxitur nga përhapja e varianteve të reja dhe “hapja e shoqërive në mënyrë jo të duhur dhe të pakontrolluar”, ka thënë Hans Kluge, drejtor për Evropën në OBSH.

I ashtuquajturi variant britanik i koronavirusit, i identifikuar fillimisht në Britani të Madhe, është përhapur tanimë në 27 vendet evropiane të monitoruara nga OBSH-ja.

Kjo agjenci për shëndetin e Kombeve të Bashkuara ka thënë se varianti britanik është dominant në të paktën dhjetë shtete: Britani, Danimarkë, Itali, Irlandë, Gjermani, Francë, Holandë, Izrael, Spanjë dhe Portugali.

Sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, prej fillimit të pandemisë e deri më tani janë regjistruar mbi 22.5 milionë raste të konfirmuara me koronavirus dhe rreth 547,000 vdekje në 30 shtetet evropiane që monitoron.

Aktualisht situata është serioze në Republikën Çeke, e cila këtë javë ka regjistruar rekord të gati 8,500 personave të shtrirë të spitale, të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Polonia është duke hapur spitalet e përkohshme dhe është duke rikthyer një izolim të pjesshëm pasi varianti britanik ka rritur 35 për qind të infektimeve.

Ndërkohë, dy pacientë nga Sllovakia – vend i prekur rëndë nga pandemia – janë dërguar më 6 mars në Gjermani, meqë autoritetet gjermane kanë thënë se kanë ofruar shërbime për 10 pacientë.

Rritja e fundit raportohet teksa disa shtete evropiane janë duke garuar për të vaksinuar popullatat e tyre, ndonëse me ritëm më të ngadalshëm për dallim nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Kili dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e Evropës, nga Greqia në Irlandë dhe nga Portugalia në Sllovaki, janë duke zbatuar shkallë të ndryshme të izolimit.

Mijëra persona kanë protestuar më 6 mars në Austri, Zvicër, Suedi dhe Irlandë, meqë muaj të tërë të izolimit kanë rritur dëmet ekonomike dhe tensionet shoqërore.

Në Gjermani, qeveria dhe guvernatorët shtetërorë janë pajtuar për të vazhduar masat e izolimit deri më 28 mars, derisa kanë prezantuar edhe një hartë të komplikuar për lirim të disa masave në zonat me shkallë të ulët të infektimit.

Ndërkohë, gjermanët është raportuar se kanë blerë brenda orësh të gjitha testet rapide për koronavirus, që tani shiten nëpër dyqane të mëdha ushqimi.

Duke dhënë shenja se lehtësimi i masave mund të jetë javë apo muaj larg, shefi i stafit të kancelares gjermane Angela Merkel, u ka thënë mediave lokale më 6 mars se “është shumë skeptik” për planet e njerëzve që të udhëtojnë për Festën e Pashkëve në prill, mirëpo ka thënë se pret që situata të ndryshojë në maj.

Zhvillime tjera lidhur me pandeminë, përfshijnë vaksinimin e presidentit të Nigerisë Muhammadu Buhari, atë të Venezuelës Nicolas Maduro, dhe Dalai Laman, liderin shpirtëror tibetian.

Në Shtetet e Bashkuara, Senati ka miratuar paketën e ndihmës në vlerë të 1.9 trilionë dollarëve amerikanë, pavarësisht kundërshtimeve të republikanëve, të cilët kanë votuar kundër.

Projektligji për ndihmën pritet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve javën e ardhshme, duke përmbushur një nga zotimet e presidentit amerikan Joe Biden.

Paketa e ndihmës ofron pagesa direkte prej 1,400 dollarëve për shumicën e amerikanëve, shtyn përfitimet urgjente për të papunët dhe shpenzimet për vaksina dhe testimet për COVID-19. Ky projektligj ofron edhe miliarda dollarë për shtetet, qytetet, shkollat dhe bizneset. /Rel/

Denonco te STOP

Keni një shqetësim që duhet ta dijë opinioni publik?

Na kontaktoni me telefon ose WhatsApp. Ekipi i STOP verifikon çdo sinjalizim dhe del në terren.

↑