Rrahman Rraja dorëzon në Kuvend dorëheqjen nga mandati i deputetit

Rrahman Rrahja dorëzon në Kuvend dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Në bazë të verifikimit në listën e PS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mandatin e lënë nga Rrahman Rrahja i takon ta marrë Arkend Balla.

Rraja dorëzoi mandatin e deputetit në qarkun e Durrësit, pas bërjes publike të videeos ku pjesëtarë të fisit të tij rrihnin dy qytetarë në lokal, të cilët ishin ankuar në polici në lidhje me dëmet që i kishin shkaktuar shpërthimet nga gurorja në pronësi të vëllait të deputetit.

Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar në polici 8 persona, ndërkohë që janë shpallur në kërkim dy vëllezërit e deputetëtit, Xhelal dhe Përparim Rraja, si dhe i biri i tij Rexhep Rraja.

Në deklaratën e tij kur shpalli dorëheqjen nga jeta politike, Rrahman Rraja u shpreh se ndihet i turpëruar nga pamjet e publikuara dhe i bëri thirrje djalit të dorëzohet në polici.

DEKLARATA E RRAHMAN RRAJËS

Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova.

Të Fundit