Në muajin Tetor të vitit të shkuar emisioni “Stop” trajtoi çështjen e ndotjes në Porto Romano. Krerët e bashkive të Durrësit, Shijakut dhe Kavajës kanë një kontratë të rregullt për depozitimin e mbetjeve në një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë.
Plehrat e këtyre qyteteve depozitohen në këtë zonë me një kapacitet mbi normën, ndërkohë që askush nuk kujdeset për kushtet e asgjësimit. Ndaj dhe nga reshjet e shiut ato shkojnë në kanalet kulluese dhe më pas përfundojnë në det.
Këto plehra gjithashtu digjen nga individë të paautorizuar, duke lëshuar në këtë mënyrë helme toksike dhe “duke vrarë në heshtje” banorët e zonës.
Gjatë investigimit gazetarja u përball me disa fëmijë, të cilët po luanin në këtë vendgrumbullim mbetjesh. Nga ana tjetër ambientalisti Sazan Guri tregoi pasojat katastrofike të kësaj ndotjeje të përmasave të mëdha.
Kryeinspektori i Mjedisit në Durrës, Jurgen Dashi asokohe deklaroi se bashkia e qytetit nuk kishte leje mjedisore për vendgrumbullimin e plehrave. Kjo bashki edhe është gjobitur për këtë problem, por nuk ka pasur asnjë reagim.
Ndërsa shefi i ndërmarrjes së shërbimeve komunale në Durrës, Fadil Ago pranoi se nuk ka leje për këtë aktivitet dhe që mbetjet derdhen në kanale e det.
Por edhe pse 7 muaj më parë u premtua ngritja e një landfilli, sot vijon të jetë një mision i pamundur të kalosh pranë zonës së Porto Romanos në Durrës.
Në këtë vendgrumbullim mbetjesh për tre qytete nuk ka ende një roje apo një rrethim, duke “lejuar” njerëzit dhe derrat, që ushqehen me mbeturina, ta shndërrojnë këtë zonë në një bombë ekologjike.
Shefi i ndërmarrjes së shërbimeve komunale në Durrës, edhe pse premtoi asokohe që situata do të zgjidhej me buxhetin e këtij viti, pranoi se ende nuk është bërë asgjë.
“Pikërisht nga fundi i kësaj jave do të nisë menjëherë pastrimi i gjithë kanaleve që rrethojnë fushën e kompostimit të mbetjeve. Në lidhje me problemin e zjarreve, që ju e ngreni me të drejtë, ka individë të pandërgjegjshëm, të cilët qëllimisht i vënë flakën. Ne kemi aktivizuar edhe Policinë e Rendit dhe Policinë Bashkiake. Nërkohë që kemi bërë edhe denoncime në prokurori. Ndërsa përsa i përket rrethimit, është në kuadër të një programi të Bashkisë së Durrësit me Ministrinë e Mjedisit. Ne shpresojmë që brenda muajit Qershor kjo të mbyllet”, u shpreh Fadil Ago.
Ai tregoi se Bashkia e Durrësit nuk e ka marrë ende lejen mjedisore, si dhe ftoi emisionin “Stop” të monitorojë ndryshimin që do të kryhet në Porto Romano.