Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim pune me drejtorët e drejtorive vendore të Policisë në qarqe dhe drejtuesit e departamenteve, me fokus vlerësimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike, si dhe përcaktimin e detyrave prioritare për periudhën në vijim.
Gjatë takimit u diskutua për intensifikimin e masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale, rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik dhe ndjekjen në dinamikë të problematikave të adresuara nga qytetarët.
Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore për parandalimin e veprave kriminale, zbardhjen në kohë të tyre dhe trajtimin me përgjegjësi e profesionalizëm të çdo shqetësimi të qytetarëve, deri në përfundimin e plotë të veprimeve procedurale dhe hetimore.
Hita kërkoi rritjen e efikasitetit të shërbimeve për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, shtimin e parametrave të sigurisë rrugore dhe rritjen e pranisë së Policisë në terren, veçanërisht gjatë sezonit turistik, për të garantuar reagim të menjëhershëm dhe mbështetje për qytetarët e turistët.
Drejtori i Përgjithshëm theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të etikës policore, integritetit dhe rritjes së performancës së çdo punonjësi të Policisë së Shtetit.
Në takim u kërkua intensifikimi i masave për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si në ambiente të mbyllura me llamba, ashtu edhe në terren, si dhe goditja pa kompromis e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Po ashtu, Hita urdhëroi vijimin me intensitet të goditjes së armëmbajtjes pa leje, kapjen e personave në kërkim, goditjen e lojërave të fatit të paligjshme, luftën kundër krimeve mjedisore dhe rritjen e rezultateve në çdo drejtim të veprimtarisë policore.
Në lidhje me situatën e zjarreve në vend, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal për parandalimin e tyre, identifikimin dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve, duke theksuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit mbetet prioritet i Policisë së Shtetit.
Në përfundim të takimit, Hita kërkoi që drejtuesit e drejtorive vendore dhe shefat e komisariateve të jenë personalisht në krye të shërbimeve, të rrisin praninë në terren aty ku evidentohen problematika, të forcojnë drejtimin dhe menaxhimin e strukturave që drejtojnë, si dhe bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë vendin.



